Para një jave, kreu i Red Bullit, Kristian Horner, tha se Fernando Alonso është një pilot problematik për skuadrën dhe tenton të krijojë kaos. Ky i fundit reagoi me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi: “Kënga e verës”. Polemika u mbyll, por së fundmi ka reaguar shoku i Alonsos për katër vite tek Ferrari, Felipe Masa. Ai e cilëson spanjollin si një pilot të zgjuar, por që gjithmonë e ndan ekipin në dy pjesë.
“Me Fernandon ishte gjithmonë një gjendje lufte. Nuk kam patur kurrë probleme me të jashtë garave. Më ka trajtuar gjithmonë mirë dhe kemi patur një raport pune pozitiv, por Alonso kishte diçka. Kur vinte kokoren, dukej sikur ekzistonin dy persona dhe kjo sillte probleme në ekip. Nëse e dalloni, në të gjitha ekipet ku garoi, Alonso e ndau ambientin në dy pjesë. Kam patur një histori të rëndësishme dhe të vështirë te Ferrari. Kur u largova u ndjeva i lehtësuar.”
“Alonso ishte një pilot i talentuar, kishte aftësinë për të kuptuar garën, ishte i shpejtë dhe i kompletuar, njësoj si Shumaker. Me gjermanin kisha një marrëdhënie më të ngushtë. Kur erdha tek skuderia italiane, shihja Shumin dhe ndjeja sikur po i thoja: më ndihmo, më mëso. Doja të mësoja nga një person që kishte fituar 7 Kampionate Botërore dhe ai më trajtoi gjithmonë mirë”, përfundon Felipe Masa, i cili garoi për 7 sezone me skuderinë e Ferrarit.