Refik Halili nuk ishte fort i qartë në deklaratën e tij për Supersportin pas finales së kupës, sepse tha e “Tirana është shumë pranë rënies”, por më vonë ka korrigjuar gjithçka. Duke folur për Top-Channel, presidenti bardheblu ka pranuar verdiktin e fushës: “Unë nuk kam më shpresa. Po e përbaltin shumë investimin tim, por mua gjithçka më del nga shpirti. Ndihem shumë keq që jam bërë pjesë e historisë të keqe të Tiranës duke e zbritur nga kategoria. Por me sa duket ky ishte fati im. Megjithëse duhet pranuar se na është hëngër haku”. Ndërkaq, Halili është pyetur a pret realisht ndonjë dënim të Skënderbeut nga Komisioni i Etikës, që do të vendosë javën e ardhshme: “Unë e dua futbollin dhe do të ishte një humbje nëse do të ndodhë penalizimi i Skënderbeut. Unë vërtet shoh skuadrën time, por nuk do të më pëlqente të penalizoheshin ata që të gëzoja unë”.