Zbulimi i talenteve të rinj, marrja e tyre te Lacio dhe shitja për një shumë disa herë më të lartë është një nga mjeshtritë e Igli Tares. Drejtori sportiv i bardhekaltërve vazhdon “gjuetinë” e tij dhe emri i fundit që ka dalë në skenë është ai i Edon Zhegrovës.
Siç raporton “Corriere dello Sport”, Tare po punon për të siguruar në verë shërbimet e talentit të përfaqësueses së Kosovës. 19-vjeçari i Genkut cilësohet si “Mesi i Kosovës”, ndërsa ai po monitorohet dhe nga Barcelona e Milan.
Samir Ujkani, portieri i Rizesporit është një nga personat që po e sponsorizojnë Zhegrovën te klubet italiane. “E sponsorizoj pa asnjë dyshim. Edoni është i ri, i talentuar, ka cilësi të jashtëzakonshme, të cilat i kam parë vetëm te Paulo Dibala”, shprehet gardiani 30-vjeçar me një të kaluar në Itali.
Vetë lojtari i Genkut ka folur për situatën e tij, duke pranuar se ka disa oferta. “Do të ishte një nder të luaja me një klub si Barcelona ose Milani, por unë kam disa oferta të tjera dhe po negocioj me klubet e interesuara. Do të zgjedh opsionin më të mirë për mua”, sqaron Zhegrova.
Lacio nuk e mohon interesimin për shqiptarin. Ai është pjesë e Genkut, klub me të cilin Tare ka marrëdhënie të mira. Aty u ble Sergej Milinkoviç-Saviç, i cili është një nga pikat më të forta të ekipit të Inzagit, ndërsa shpresohet që të ndodhë e njëjta gjë me Edon Zhegrovën.
Përveç lojtarit ofensiv, Tare po ndjek me kujdes dhe Eljif Elmas të Fenerbahçes, Adolfo Gaiç të San Lorenzos, Junus Agkun të Gallatasarajit dhe Pedro De La Vega të Lanus.