Këtë periudhë të merkatos verore, tek Erzeni duket se e kanë vlerësuar seriozisht. Çdo javë në këtë skuadër po afrohen futbollistë, të cilët drejtuesit i mendojnë si shumë të vlefshëm për sezonin e ri. Në një bisedë me administratorin e Erzenit, Altin Keçin, mësohet se është nënshkruar sot me mbrojtësin Denis Biba, i cili sezonin e kaluar e mbylli te Besa.
“Nënshkruam sot paradite me mbrojtësin e majtë Denis Biba. Ky futbollist ka qenë pjesë e Erzenit edhe tre sezone më parë dhe ne e mendojmë si një përforcim serioz të mbrojtjes sonë, si një vlerë për synimet tona në sezonin e ri”, u shpreh për SportEkspres.com Keçi.
Më pas ai tregoi edhe situatën e merkatos së kësaj vere tek Erzeni.“Pas konfirmimit të Dikson, jemi në përfundim të marrëveshjes me Xhixhiua. Ai është në pronësi të Bylisit, ndërkohë jemi në pritje të tre futbollistëve ganezë. Në fundin e këtij muaji ata do jenë në Shijak.
Këto ditë kemi patur bisedime me ish-portierin e Kamzës, Elidon Selaci, me të cilin mund ta mbyllim këtë javë. këtë muaj me Erzenin do të bashkohet edhe mbrojtësi peqinas, Endrien Magani, i cili sezonin e kaluar luajti te Gjilani”, përfundoi administratori i Erzenit, Altin Keçi.
AGRON KAJA