Dinamo akuzoi një ditë më parë për gjykimin në ndeshjen me Erzenin, ndërkohë që mes të tjerash thuhej se ka pasur presion dhe se në Shijak luhej si të ishte vitit i famshëm 1997. Së fundmi ka ardhur edhe reagimi i Erzenit. Astrit Hoxha, administratori i klubit shijakas, përmes llogarisë së djalit të tij në “Facebook”, replikon me klubin dinamovit, madje edhe i akuzon.
“Më vjen keq për Dinamon që shprehet kështu, sepse është i vetmi ekip i kampionatit shqiptar që nuk i ka pikët e veta, por të gjyqtarëve. Dinamo po prish kampionatin Shqiptar me arbitrat që merr me vete, por dhe tek Dinamo donatori është zv.presidenti i FSHF. Patjetër që pata reagime, por me këto gjyqtarë kampionati shqiptar është shumë i vështirë. Suksese Dinamo, por jo me gjyqtarët. Suksesi të jetë vetëm i juaji”, shkruhet në komentin e bërë në faqen zyrtare të Dinamos.
QËNDRIMI I DINAMOS – “F.K Dinamo denoncon gjykimin skandaloz të arbitrave! Jemi në prag të vitit 2019, por në fusha të caktuara luhet akoma si në ‘97, ku arbitri kërcënohet hapur nga të ashtuquajtur drejtues klubesh, duke ndikuar direkt në rezultat, me penallti inekzistente e faulle të paqena!
Duke mos dashur aspak të justifikojmë humbjen, klubi blu i bën thirrje instancave më të larta të futbollit në Shqipëri që arbitrat kamikazë mos t’i lejojë më të vendosin ‘drejtësi’ brenda fushës së gjelbër e gjithashtu të dënojë këta pseudo-drejtues trima që kujtojnë se futbollin e kanë pronë personale. Faleminderit çunave të ekipit që sot zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer, paçka se futbolli doli në plan te dyte nga faktorë të jashtëm! FORCA DINAMO”, shkruante klubi kryeqytetas një ditë më parë.