Kamza ka nisur përgatitjet dhe drejtuesit tani po punojnë që të përforcojnë ekipin. Stafi ka ndryshuar, pasi në krye të ekipit ka ardhur Bledar Devolli. Marko Matula, përgatitësi i ri atletik, ishte afrimi i fundit në staf, ndërkohë që tanimë me interes pritet që të mësohen emrat rinj të lojtarëve.
Por edhe rinovimet janë një aspekt i rëndësishëm. Bruno Arrabal, një nga zbulimet e sezonit të shkuar, ka nënshkruar kontratën e re me përfundimin e kampionatit. Presidenti Naim Qarri nuk ka humbur kohë dhe e ka bindur brazilianin të qëndrojë te Kamza. Mesfushori, i cili luan edhe si mbrojtës qendre, do të jetë një nga shtyllat e formacionit të Kamzës.
E njëjta gjë vlen edhe për Erlis Frashërin. Lojtari polivalent u kërkua me ngulm nga Skënderbeu, por rikthimi në Korçë pas tetë vitesh nuk u bë realitet. Ai kishte kontratë dhe normalisht që lejekalimi nuk iu dha. Kamza kërkonte dëmshpërblim dhe kjo bëri që anësori i djathtë të mos ndryshonte ekip. Së fundmi ai është vënën nën urdhrat e trajneri Devolli.