Kristian Eriksen duket se do të jetë blerja e parë “Big” e Real Madridit në verë. Ylli danez nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën dhe Totenhemi është gati ta lërë të largohet, në mënyrë që të përfitojë diçka nga shitja e tij. Me paratë që klubi londinez do të arkëtojë nga shitja e tij, janë planifikuar 5 blerje.
Emri më i përfolur është ai i Xhek Grilish, i cili është kapiteni dhe lideri i Aston Vilës. Në rast se skuadra e tij nuk ngjitet në Premier Ligë këtë sezon, Grilish me shumë gjasa do t’i bëjë gati valixhet. Edhe emri i Uilfrid Zaha është përfolur shumë, me sulmuesin anësor që do të largohet nga Kristal Palas dhe Totenhemi shihet si skuadra ideale, pasi nuk kërkon të lëvizë nga Londra.
Mitroviç dhe Soler janë dy emrat që Poçetino dëshiron për repartin e sulmit. Bomberi i Fulhemit nuk do të qëndrojë te ish-skuadra e Ranierit, pasi këta të fundit me shumë gjasa do të bien nga kategoria. Ndërsa sulmuesi i Valencias, Soler është një dëshirë prej shumë kohësh e Poçetinos. Flitet edhe për një mesfushor që luan në La Liga, emri i të cilit nuk është zbuluar ende nga mediat britanike.