Erik Ten Hag i uritur: Luftojmë për më shumë!

Erik Ten Hag dhe Ajaksi i tij arritën ndoshta një ndër sukseset më të mëdha të kohëve të fundit për futbollin holandez në rang klubesh. Triumfi në “Santiago Bernabeu”, me shifrat 1-4 ndaj Realit të Madridit është diçka që do të mbahet mend gjatë.

Pas ndeshjes, numri një i pankinës së Ajaksit foli për mediat, ku u shfaq mjaft i lumtur, por njëkohësisht edhe i uritur për më tepër. Ten Hag foli dhe për grupin aktual që ka dhe për të ardhmen e tyre, ku pranoi se do të jetë e vështirë për t’i mbajtur.

GRUPI – “Shpresoj që ta mbajmë këtë grup bashkë për sa kohë të jetë e mundur. Do të ishte fantastike nëse do të rriteshin akoma më shumë, por me futbollin aktual është thuajse e pamundur për t’i mbajtur. Lojtarët largohen në mosha shumë të vogla. Është gati-gati e pandalueshme, por do të ishte fantastike nëse vijoja të punoja edhe për disa vite me këtë grup fantastik.”

SEZONI – “Jemi vetëm në fillim të muajit mars dhe kemi mundësi akoma për të fituar tre trofe. Kështu që është një vit fantastik dhe kjo është falë ekipit. Trofetë do të ngrihen në fund të sezonit. Mund ta shijojmë këtë fitore. Sezoni është që tani shumë i mirë për ne. Por gjithsesi, ne duam të arrijmë akoma më shumë. Kjo është për çfarë luftojmë.”

FILOZOFIA – “Është konfirmim i filozofisë së Holandës dhe në veçanti Ajaksit. Në historinë tonë kemi fituar shumë trofe. Trofeun më të madh që është Champions League, si dhe trofe të tjerë. Por klima e futbollit ka ndryshuar dhe kampionatet e tjera janë rritur shumë. Si një vend i vogël është shumë e vështirë të përballesh me vendet me potencial të madh ekonomik. Kështu që është një fitore e madhe. Duam më shumë. Ndeshjet e ardhshme do t’i përgatisim akoma më mirë dhe më me shumë kurajo e besim.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *