Për “Sport Ekspres” flet nga spitali “Salus” mesfushori i korçarëve. Vlerëson mbështetjen e shokëve të skuadrës, të cilët e kanë bërë krenar
Fatjon Rupi
“E merituam fitoren në Kukës dhe ia dedikojmë Enis Gavazajt, të cilit i urojmë rikthim të shpejtë në skuadër.” Këto kanë qenë disa nga fjalët e thëna nga trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, pas suksesit në Kukës. Ai deklaroi për mediet se stafi teknik, futbollistët, stafin drejtues dhe presidenca, atë fitore ia kushtonin pikërisht atij, kosovarit Gavazaj. Të enjten, në ndeshjen e Europa League ndaj Jong Bojs në “Elbasan Arena”, Gavazaj u dëmtua pa kaluar 20 minuta lojë. Nga një përplasje me portierin zviceran ai pësoi një dëmtim në fytyrë,q ë më pas rezultoi një thyerje e kockës poshtë syrit. Lojtari u transportua në spitalin “Salus”, ku qëndroi nën kontrollin e mjekëve italianë për disa ditë dhe dje në mesditë kreu ndërhyrjen kirurgjikale, që fatmirësisht ka përfunduar me sukses. Të hënën Skënderbeu luante në Kukës dhe arriti të fitonte, ndërkohë që të gjithë ia kanë dedikuar suksesin Enisit, lojtarit që mezi e presin të kthehet.
GJENDJA – Enis Gavazaj ka kryer me sukses operacionin në fytyrë, ndërkohë që mjekët italianë vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë në spitalin “Salus”, në kryeqytet. Për sot është parashikuar që Gavazaj të dalë nga spitali dhe më pas të vijojë fazën e riaftësimit. Gazeta ka komunikuar dje me lojtarin, që ka shpjeguar më shumë rreth gjendjes së tij shëndetësore dhe se kur mund të kthehet në fushë. Lajmi i mirë është se pas 3-4 javësh mesfushori do të bashkohet me skuadrën dhe do të jetë gati për Dajën. Çdo gjë kaloi me kaq dhe ndoshta Enisi duhet të falënderojë Zotin, sepse goditjen e ka marrë në një vend shumë delikat në fytyrë. Ekskluzivisht për “Sport Ekspres” Gavazaj u shpreh: “Ju falënderoj juve për interesimin në këtë moment, kur kam vetëm disa orë që kam dalë nga salla e operacionit. Dua t’u them të gjithë dashamirësve të mi se gjithçka kaloi me sukses dhe për këtë jam shumë i lumtur. Më e keqja tashmë kaloi dhe pavarësisht se sot (dje), një ditë pas operacionit, jam i enjtur në fytyrë, jam i gëzuar, sepse nesër (sot) do të dal dhe gjithçka shkoi si mirë. E mora vesh që Skënderbeu fitoi dhe u gëzova vërtet shumë për atë fitore në Kukës. Por më shumë u gëzova për atë dedikim që më bëri e gjithë skuadra. Ishte një fitore enkas për mua. Ndjehem shumë krenar dhe i lumtur për këtë Skënderbe, sepse jemi pa diskutim një familje e madhe. Ja pse Skënderbeu është ndryshe nga skuadrat e tjera! Edhe në ditët e vështira të gjithë jemi të bashkuar. Faleminderit shumë dhe ju jam shumë mirënjohës!”
PANTAZI – Enis Gavazaj do të dalë sot nga spitali, ndërkohë mjeku i Skënderbeut, Jorgo Pantazi, i cili çdo moment i ka qëndruar pranë, ka sqaruar rreth rikthimit të mesfushorit kosovar: “Po, Enisi e kreu me sukses operacionin dhe do të dalë nga spitali nesër (sot). Më pas i duhen 10-14 të qëndrojë pushim, por jo pushim absolut. Mund të punojë në palestër, të bëjë terapi apo diçka tjetër, që do t’i shërbejë shumë. Pas këtyre dy javëve, Gavazaj do të jetë gati për të filluar gradualisht me grupin dhe kjo do të thotë se duhen diçka më shumë se tri javë që lojtari të kthehet plotësisht. I uroj rikthim sa më të shpejtë dhe jam i bindur se Gavazaj do të kthehet edhe më i fortë.”
Gavazaj jo vetëm që kishte fituar vendin e titullarit te Skënderbeu, por ishte bërë një nga më të rëndësishmit në fushë për të. Në Superligë ka luajtur 235 minuta, ndërkohë që la shkëlqyer në Europa League me paraqitjet e tij. Dje kosovari ka kaluar me sukses operacionin, siç e tregon edhe kjo foto enkas për “Sport Ekspres”. Së shpejti do të jetë gati për t’i shërbyer skuadrës korçare.