Korçarët do jenë në vazon e favoritëve dhe nëse kalojnë turin e parë në Europa League, atëherë më pas kundërshtarët janë emra prestigjiozë
Gjergji Stefa
Sistemi i Europa Ligës parashikon që shorti përcakton fatin e parathënë të skuadrave pjesëmarrëse për të dy turet e para. Më 19 qershor, në Nion të Zvicrës Skënderbeu do njihet me kundërshtarin e turit të parë, kundërshtar në letër relativisht i kalueshëm, duke pasur parasysh që ish-kampionët e Shqipërisë gjenden në vazon e favoritëve me një koeficient të konsiderueshëm 6,8. Rivalë të mundshëm janë një grup ekipesh nga vende me një futboll më pak të zhvilluar se ai shqiptar. Malta, San Marino, Andorra, Gjibraltari dhe Luksemburgu janë opsione interesante, por nuk përjashtohet mundësia dhe e dy përballjeve shqiptare, kundër Shkëndijës së Tetovës apo Prishtinës. UEFA ka bërë të ditur, që në rast kualifikimi, Skënderbeu dhe në turin e dytë do jetë në vazon e favoritëve. Fituesja e çiftit të Skënderbeut automatikisht do ketë favor në short në raport me kundërshtarin. Saga e të qenit favorit përfundon nëse shkon në tur të tretë, atje ku rivalët do jenë emra të rëndësishëm. Milani është një mundësi reale dhe pavarësisht se ta parashikosh që tani ngjan një matricë me probabilitet shumë të lartë, por ëndrra e drejtuesve të Skënderbeut është pikërisht kjo: Kalimi në turin e tretë dhe një përballje “big”. Përveç prestigjit dhe evidentimit të lojtarëve, një kundërshtar i tillë ofron një shifër të konsiderueshme nga e drejta televizive. Në Europa Ligë deri në “play-off” skuadrat i menaxhojnë vetë të drejtat e imazhit, ndërkohë që mendohet që në një rast të tillë çmimi i së drejtës shkon deri në 200 mijë euro.
Nëse Skënderbeu shkon deri në tur të tretë të Europa Ligës përfiton vetëm nga UEFA një sasi prej 650 mijë eurosh, për të mos folur më pas për të ardhurat shtesë që mund të vijnë nga përballja e mundshme “big” në këtë tur. Sigurisht që ëndrra e madhe e Skënderbeut është kalimi në grupet e Europa Ligës, por duke e nisur nga turi i parë kjo duket e vështirë teknikisht, sepse duhet të kalojnë 4 raunde që ta bëjnë një gjë të tillë.