Pankina e Mançester Junajtid për sezonin e ardhshëm është një enigmë e plotë, teksa janë përfolur shumë emra. Fillimisht ishin emrat e Mauricio Poçetinos dhe Zinedin Zidan, ndërkohë është lakuar dhe emri i trajnerit të kombëtares, Gareth Sauthgejt.
Gjithsesi, në mediat angleze, emri më i fundit që po qarkullon është Diego Simeone. “Timonieri” i Atletikos së Madridit, duket se pëlqehet nga drejtuesit e “Red Devils” dhe siç raportojnë “Mirror” dhe “The Sun”, kontaktet mes dy palëve kanë nisur.
Simeone ka një kontratë që e mban në Madrid deri në fundin e sezonit të ardhshëm, pra në vitin 2020, por ndoshta mund të ketë një ndarje të parakohshme. Argjentinasi është shprehur më parë se mund të drejtojë një ditë Interin, por kjo pistë është zbehur me kohën dhe ndoshta e ardhmja e “Cholos” mund të jetë drejt Premier Ligës.