Starti i përgatitjeve për sezonin e ri te Besëlidhja ende po vonon, por Besëlidhja ka përveshur mëngët në merkato dhe këtë e nis nga stoli. Drejtuesit e skuadrës lezhjane kanë bërë publik lajmin se kanë gjetur akordin me shkodranin Elvis Plori, për t’u ulur në pankinë për sezonin e ri. Zyrtarizimin e marrëveshjes e konfirmon për SportEkspres.com vetë trajneri Plori, i cili kështu provon skuadrën e pestë në karrierën si trajner.
Në këtë periudhë në klubin lezhjan konfirmohet vetëm largimi i mesfushorit Omar Kamara, i cili luajti tre sezone rresht me Besëlidhjen. Gjatë këtyre përgatitjeve ai i është bashkuar Kukësit dhe pritet të nënshkruajë me verilindorët në Superiore. Mbetet për t’u mësuar e ardhmja e Lambert, Isak dhe Abubakar.
Drejtuesit e Besëlidhjes kanë menduar që skuadra të mblidhet në javën e parë të muajit korrik, ku pas dy javëve përgatitje në Lezhë, skuadra mund të vazhdojë përgatitjet në terrene malore ose në bregdet. Në sezonin e kaluar Besëlidhja u rendit në vendin e tretë, ndërkohë që këtë sezon edhe vetë trajneri i ri e pranon se objektiv është ngjitja në Kategorinë Superiore.
AGRON KAJA