Eliminimi i Teutës nga Europa/ Ndeshja e kthimit e tregoi, ishte gabimi në kalkulime nga ekipi kampion

Teuta e ka mbyllur aventurën në Europë dhe asnjë ekip i Superiores nuk ka kaluar në “Play Off” të “Conference League”. Të gjitha shpresat ishin te durrsakët që kishin short më të lehtë se skuadrat e tjera të kampionatit shqiptar pasi vinin si kampion dhe kanë shmangur emrat e mëdhenj si kundërshtar.

Pra ndryshe nga përplasja me rivalë si Bazeli, Anderlehti apo edhe AEL Limasol, Teuta kishte rrugë më të thjeshtë në “Conference League”. Në turin e dytë do të kalohej Inter Escaldes mes dramës së madhe, për t’u ndalur nga Shamrock në të tretin. Por si shkoi kjo aventurë e durrsakëve në Europë? Nga nënvlerësimi në mbivlerësim, është thuajse i njëjti problem dhe paguhet e njëjta kosto.

Në ndeshjen ndaj Inter Escaldes, Teuta e nënvlerësoi shumë rivalin modest që u kundërpërgjigj me fitoren 0-2 në Shqipëri. Ndërkohë në transfertë skuadra e Martinit tregoi forcën e vërtetë për të eliminuar Escaldes. Për të kaluar me Shamrock, që ishte një tjetër histori, këtë herë mbivlerësimi.

Në letër ishte Teuta si ekipi favorit nisur nga vlera totale e lojtarëve. Por ekipi kampion i Superiores kishte shkuar në transfertë me një qëllim të vetëm, për të dalë me barazimin 0-0. Vonesat e mëdha të lojës dhe rastet e rrezikshme 86-9 në favor të Shamrock e treguan qartë planin e durrsakëve. Një ndeshje e dominuar për thuajse 90 minuta të plota nga irlandezët që papritur dukeshin si të ishin emri më i madh i arenës europiane të futbollit.

Por ndeshja e kthimit në Shqipëri ishte histori tjetër. Teuta nisi që t’i kthehej origjinës me ndërtimin e rasteve të shumta sulmuese për të kërcënuar ndjeshëm kundërshtarin, me Shamrock që priti te porta dhe iu falë vetëm mungesës së koordinimit të lojtarëve durrsakë. Nëse finalizimi do të ishte i duhuri, padyshim që ekipi shqiptar do të dilte më së paku 2 gola të shënuara në këtë sfidë.

Kjo do të thotë se ka pasur gabim në kalkulime pasi diferencat mes ekipeve u panë që nuk ishin të atij niveli që u tregua në ndeshjen e parë, për ta zhvilluar lojën me një portë. Formati me dy takime ia lë rëndësinë më të madhe përballjes së fundit për të vendosur fatin e kualifikimit, por nga ana tjetër nuk duhet harruar se çdo 90 minutësh ka të njëjtën vlerë.

Pra të ndikuar edhe nga presioni i humbjes së parë, nxitimi i madh i lojtarëve të Teutës ndikoi që të mos shënonin në shumë prej rasteve të krijuara në kthim. Këtë herë u krijuan 38 raste të rrezikshme nga ana e ekipit kampion të Superiores, rreth 30 më shumë sesa nga historia e përballjes së shkuar.

Ndërkohë në formatin e shkuar me një ndeshje, Teuta arriti që të bënte surprizën për të nxjerrë nga Europa League një ekip që ishte dukshëm favorit ndaj tyre, Beitar Jerusalem. Në 90 minutat e vetme do të gjendeshin të gjitha forcat për të dërguar në shtëpi dhe për të shkaktuar “tërmet” te izraelitët. Nëse është marrë një leksion nga kjo aventurë në Europë për Teutën, është rikujtimi i faktit se asnjëherë nuk mund të shkosh në një ndeshje për të marrë barazimin. E sidomos ndaj një kundërshtari ku ti vlen më shumë në letër, thjesht je duke firmosur humbjen tënde. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online