Eksperimente pa fund, Besa ndahet në paqe me Apoloninë

0

Shumë lojtarë të provuar ndikuan edhe në cilësinë e lojës, që nuk u ngrit në nivelin e duhur në pjesën më të madhe të ndeshjes

Fatmir Efica

BESA 1
APOLONIA 1
Shënues: E. Hoxha 19’ / A. Dimo 66’

BESA: Kaloshi, Perja, Turhani, Bushi, Gjonaj, Doksani, Hoxhafi, E. Hoxha, Biba, Dervishi, Cara. (U aktivizuan: Rexhepaj, Taku, Kullolli, Xh. Hoxha, Selita, Mara, Deliu, Hyka). Trajner: B. Sinella.
APOLONIA: Cako, Braka, Kuci, R. Mehmeti, Lama, Broshka, Hysenshahaj, Andoni, Dimo, Kondakçiu, Krasniqi. (U aktivizuan: Zyka, Sota, Sh.Mehmeti, Gjata, Kumnaku, Kombaj, Hëna, Mihana). Tr. N.Kashami.

GJYQTARË: M. Përmeti, Sh. Shehu (Fier), Xh. Dimni (Kavajë)
KARTON I VERDHË: Biba 53’

E vetmja gjë për t’u mbajtur mend nga kavajasit te miqësorja e parë e Besës dje ndaj Apolonisë, mbyllur në barazim 1-1, ishte aksioni i golit vendas, një prodhim “Made in Kavaja”. Tedi Cara pasoi në qendër të zonës për Edmond Hoxhën,i cili me një depërtim e një gjuajtje qendrore tokazi nga vija e 16 metrave, uli në gjunjë portierin mik. Besa kishte dëshirë ta fitonte këtë miqësore të parë, por eksperimentet pa fund në emrat e lojtarëve që janë në provë dhe defektet që paraqitën shumica prej tyre, natyrisht edhe për mungesë përvoje, ndikuan që të mos ruhej avantazhi i arritur në 45 minutat e para.

Apolonia luajti në mënyrë më racionale, por me defekte në afërsi të zonës, ku kishte vonesa apo teprime në episodet për finalizim. Miqtë goditën shtyllën në minutën e 42-të me anë të mbrojtësit Kuçi, ndërkohë që të njëjtën gjë bëri edhe Krasniqi 7’ pas kishte nisur pjesa e dytë. Goli i barazimit do të realizohej nga Dimo, me një goditje diagonale në hyrje të zonës. Në këtë fraksion loje, për të dyja ekipet janë kryer shumë zëvendësime që ndikuan në mos ruajtjen e ekuilibrit të lojës. Ra në sy te përbërja e Besës, ndryshe nga viti i kaluar ku dominonin futbollistët e ardhur nga Durrësi, që prurjet ishin më të shumta nga Tirana, madje dhe nga skuadra inferiore të kryeqytetit.

U përdorën me përjashtim të qendërmbrojtësit Besmir Kullolli me përvojë, edhe tre të rinj nga skuadra U-19, Selita, Deliu e Hyka. Fierakët, ndryshe nga Besa, zbritën në Kavajë me një grup thuajse mbi 80 për qind nga futbollistët që kanë luajtur sezonin e fundit. Përvoja madhore e Dimos dhe shpërthimet brilante të Krasniqit u evidentuan më së miri. Prezenca në fushë e Meglid Mihanit, një futbollist kavajas me shumë përvojë, ndoshta nuk u quajt e nevojshme, ndonëse tifozët e Besës e kanë dëshiruar aktivizimin e tij. Ndeshjen e ndoqi edhe presidenti i rikthyer te Besa dy javë më parë, Nexhat Bizhdili, si dhe ish-presidenti i Besës në vitin 1997, Gëzim Kalaja. Te miqtë dallonte prezenca e drejtorit të Apolonisë, Kamber Memalla.    

Bledar Sinella (Trajner i Besës) – “Kemi shumë lojtarë në provë dhe kjo ndeshje thuajse iu dedikua më shumë atyre. Pak rëndësi kishte rezultati. Do të ketë sërish seleksionime. Në ditët e tjera skuadra do të nisë një riformatim më të plotë të saj”.

Ndriçim Kashami (Trajner i Apolonisë) – “Më kënaqi lëvizshmëria e lojtarëve, por jo pjesa përmbyllëse e aksioneve, ku ne gabojmë shumë. Na duhet mjaft punë, jo vetëm me kontigjentin që kemi pasur, por edhe me përshtatje e lojtarëve të ardhur”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.