Tomas Tuhel ka një reputacion si një trajner që nuk ndalet dot së eksperimentuari. Tekniku gjerman zor se mban të njëjtin formacion nga ndeshja në ndeshje. Megjithatë, së fundmi ai ka shfrenuar fantazinë me formacionin e përzgjedhur për përballjen ndaj Olimpikut të Lionit.
Një modul loje 3-4-3 (5-2-3 në fazën mbrojtëse), ku në mungesë të të dëmtuarit Nejmar, reparti i sulmit përbehet nga Di Maria, Kavani dhe Mbape. Porta mbrohet nga Areola, që ka përpara tij Tiago Silvën, Kimpemben dhe Kehrer, ndërsa në krahë të mbrojtjes janë Dani Alvesh e Bernat.
Deri më tani asgjë jashtë normales, por nëse i hedhim një sy mesfushës situata ndryshon krejtësisht. Dyshja e repartit qendror përbëhet nga qendërmbrojtësi Markuinjos dhe sulmuesi Draksler. Sigurisht kemi të bëjmë me një zgjedhje të sforcuar për shkak të dëmtimit të Marsial dhe përjashtimit të Rabio nga klubi, ndërsa blerja e merkatos së janarit Leandro Paredes është preferuar të mbahet ne stol.