Zhgënjimi i eliminimit nga Karabaku në Champions League ka kaluar me shpejtësi te Kukësi, që nuk ka kohë të shohë pas, sepse prej javës së ardhshme do të nisë ndeshjet e turit të tretë kualifikues në Europa League, ku me shumë gjasa do të përballet me gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit.
Ajo që ra në sy kundër Karabakut, por edhe ndaj Valetës në turin paraardhës, është se Sindrit Guri nuk është zëvendësuar ende dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Kukësit t’i futen punës. Rexhinaldo ishte i pari që firmosi dhe përforcon ndjeshëm sulmin në vazhdim, por nuk ka mbaruar me kaq, sepse do të ketë ndryshime të tjera, me Sebino Plakun që tashmë pritet të largohet, sepse kontrata ishte vetëm për Kupat e Europës dhe kampionati nis së shpejti.
“Sport Ekspres” zbulon se Kukësi ka arritur marrëveshjen me ish-sulmuesin e Laçit Emanuel Mensah, i cili është tashmë në Tiranë. Ganezi 24-vjeçar erdhi te Laçi në janar të vitit të shkuar, duke u larguar nga kampionati sllovak, ku ishte paraqitur shumë mirë me Zemplín Michalovce.
Në Laç Mensah spikati, me 4 gola në 17 ndeshje dhe një nivel të lartë loje, duke qenë i aftë të bënte sulmuesin e qendrës, anësorin, apo edhe mesfushorin e krahut.
Rendimenti i mirë në Laç i hapi rrugën ganezit për të shkuar në kampionatin grek, ku sezonin e shkuar u nda mes Atromitosit dhe Kerkyrës. Në asnjërin ekip nuk i eci, duke mos u bërë dot lojtar titullar, ndaj tani vjen kthimi në Shqipëri, në një kampionat më pak cilësor, ku ndoshta do të ketë mundësi të tregojë sa vlen, ashtu si me Laçin.