Menaxhimi skandaloz u kushton miliona lekë çdo vit klubeve shqiptare, sepse për shkak të paaftësisë dhe mosrespektimit të kontratave përfundojnë në gjyq me shumë futbollistë dhe në shumicën e rasteve klubet dalin të humbur.
Nëse Federata Shqiptare e Futbollit i zvarrit gjërat pa fund (kujtoni rastin Muzaka-Tirana, ende i pambyllur), në FIFA gjërat mbyllen shumë më shpejt dhe nuk ka hapësirë për kundërshtim e vonesa.
Klubi i fundit që është fundosur nga gjyqi në FIFA është Vllaznia, që ka humbur 40 mijë euro, për shkak se ishte paditur nga sulmuesi Charles Atsina. Ganezi, i cili ka edhe pasaportë italiane, u largua nga Vllaznia në verën e vitit 2018, por largimi i tij u bë pa marrëveshje dhe Vllaznia nuk mendoi se sulmuesi 29-vjeçar do e çonte çështjen në FIFA.
KONTRATA – Atsina erdhi te Vllaznia në gusht të vitit 2017, pas një periudhe 6-mujore në Lituani, te Panevezys. Në hall për sulmues, Vllaznia firmosi kontratë 1+1 me Atsinën, pasi trajneri Armando Cungu dha OK për të.
Rendimenti i Atsinës, ashtu si ai i Vllaznisë, nuk ishte fantastik, ndaj përveçse ndërruan trajnerin, duke emëruar Ernest Gjokën në stol, drejtuesit e Vllaznisë menduan spastrime në janar. Në fakt, Atsina shënoi 2 gola në Kukës në tetor 2017, me Gjokën në stol, por vendimi për largimin e sulmuesit ishte marrë dhe në janar Vllaznia i bëri dalje.
Problemi që nuk mori parasysh klubi shkodran ishte se Atsina kishte menaxher italian dhe avokat italian, të dy me shumë eksperiencë, ndaj natyrisht nuk do ta linin me aq çështjen. Fillimisht menaxheri Fabrizio Tello tentoi marrëveshjen, duke kërkuar vetëm pagat deri në fund të atij sezoni, si dëmshpërblim për prishje të njëanshme kontrate, por Vllaznia nuk pranoi.
Për pasojë, çështja Atsina përfundoi në FSHF dhe më pas, natyrisht, në FIFA. Pritje disi e gjatë, ndërkohë në verë Atsina firmosi te Kastrioti, por makineria e drejtësisë ndërkombëtare nuk harron.
Pas shqyrtimit të dosjes dhe kontratës së firmosur, FIFA dha verdiktin e hidhur për Vllazninë: I duhej të paguante Atsinën, jo vetëm për sezonin 2017/18, por edhe atë pasardhës, në bazë të kontratës 1+1, që u prish pa marrëveshje.
SHIFRA E FRIKSHME – Gafa me Atsinën i ka kushtuar Vllaznisë plot 40 mijë euro, mes pagës së lojtarit, shpenzimeve gjyqësore dhe kamatvonesave. “SportEkspres.com” ka komunikuar me futbollistin, por edhe menaxherin e tij, i cili ka konfirmuar gjithçka, duke qenë i gatshëm të tregonte edhe dokumentet e FIFA-s, nëse nga Shkodra do të mohojnë.
“Po, është e vërtetë, Atsina e ka fituar gjyqin dhe gjithçka është mbyllur. Vllaznia ka paguar rreth 40 mijë euro, sipas vendimit të FIFA-s, për shkak se nëse kjo nuk ndodhte, do të fillonin gjobat dhe penalizimi në pikë, duke vënë në dyshim ngjitjen në Kategorinë Superiore“, thotë Tello, i cili nuk e fsheh keqardhjen për mënyrën si shkoi kjo histori.
“Atsina tashmë ka ikur dhe nuk kthehet më në Shqipëri, ndaj nuk kemi asnjë sekret në këtë histori. E vërteta është se drejtuesit e klubit Vllaznia kanë gabuar totalisht, duke tentuar të largonin një futbollist nën kontratë. Ne kërkuam të paktën pagat e sezonit të parë, duke hequr dorë nga viti i dytë, por as ajo kërkesë nuk na u pranua, ndaj u detyruam të shkojmë në FIFA. Nuk është faji ynë që Vllaznia firmosi dhe më pas dëshironte ta largonte futbollistin duke mos zbatuar asnjë rregull, thjesht sepse nuk i pëlqente apo se nuk shënoi aq shumë gola sa prisnin. Përtej cilësive të futbollistëve, në sport ka rregulla dhe ato duhen zbatuar. Vllaznia mund të humbiste shumë më pak, por preferoi të mos gjente marrëveshje me ne dhe humbi një shifër të frikshme, që e fsheh për mediat, nuk e di arsyen pse“, shton Tello.
Pas largimit nga Vllaznia, Atsina firmosi për Kastriotin, ku qëndroi deri në dhjetor të vitit të shkuar. Largimi, ndryshe nga çfarë ndodhi në Shkodër, u arrit me marrëveshje, sepse Kastrioti shleu çdo detyrim deri në dhjetor 2018.