Skuadra e Egnatias tashmë ka dalë jashtë objektivave të saj për sezonin në vazhdim dhe në këtë periudhë të fazës së tretë drejtuesit kanë menduar që t’u japin prioritet futbollistëve të rinj, si edhe atyre që kanë patur pak minuta në ndeshjet e dy fazave të para.
Kalendari i javës së 20-të e ka lënë pushim skuadrën e rrogozhinase, por kjo hapësirë kohore është shfrytëzuar nga stafi teknik për një përgatitje më të detajuar, kryesisht me elementët e rinj. Për SportEkspres.com, trajneri Bledar Sinella deklaron se përgatitjet nuk kanë ndalur, edhe pse java e 20-të është pushim.
“Ne i kemi vazhduar përgatitjet tona, e duke qenë se kalendari i kësaj jave na detyron të jemi pushim, kemi zhvilluar edhe ndeshje miqësore. Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe i kemi dhënë prioritet punës me futbollistët e rinj, sepse për ne sezoni është i mbyllur sa i përket objektivave. Kemi një brez shumë të mirë, i cili për sezonin e ri do të japë kontribut real te Egnatia”.
AGRON KAJA