Egnatia “përmbyt” Shkumbinin

Në kulmin e thatësirës së kësaj vere, rrogozhinasit dëfrehen me peqinasit, të cilëve u janë larguar shumë lojtarë nga ekipi

Indrit Efica

EGNATIA 3
SHKUMBINI 0
Shënues: Gjoka 24’  Gjuzi 68’,  Vata 71’  

EGNATIA: Haremi, Doçi, Vogli, Nako, Bakiasi, Dosti, Gjoka, Karaj, Baholli, Selimaj, Mile. (U aktivizuan: Birja, Gjuzi, Veliaj, Gjorga, Vata, Allkanjari, Meraj, Aliu, Tufa, Gjyla). Trajner: V. Gjonaj.

SHKUMBINI: Ajazi, Xhyra, L. Bërdufi, Meta, J. Lleshi, Isaj, Xh. Jaupi, Vllahi, Nexha, Bullari, Roxhers , E. Lluca. (U aktivizuan: D. Peqini, Bali, Xh. Lluca, Lila, Sinani, A. Dalliu. Trajner S. Branica

GJYQTARË: Granit Sulko, Maldin Sina, Mikel Biti (Lushnjë)

Nuk di të ndalet Egnatia, që fiton dhe tregon se në këto ndeshje miqësore po realizohet ajo që thuhet bukur në një shprehje të urtë popullore, “fillimi i mbarë është gjysma e punës”. Dje ndaj fqinjëve peqinas, rrogozhinasit kanë sfiduar thatësirën e jashtëzakonshme të kësaj vere, duke u dëfryer me goleadën e tyre tashmë karakteristike. Egnatia, që e ka kaluar mbi një muaj stërvitje, duket se po merr atë konsolidim pozitiv që kërkon kjo periudhë, si për stabilitetin e formacionit kryesor, ashtu dhe në përdorimin me kriter të qartë të alternativave që ka në dispozicion.

Ndaj kësaj Egnatie të paepur për nga dëshira dhe entuziazmi dhe të “pangopur” përsa i takon lojës me theks sulmues, ku për golin nuk mendon vetëm sulmi, por e gjithë skuadra, po konturohen disa tipare të rëndësishme që në kampionatin e ri rrogozhinasve do u vlejnë për të bërë një ecuri pozitive. Me çfarë paraqiti dje ndaj fqinjëve peqinas, Egnatia tregoi se ka fuqi e aftësi të “përmbytë” Shkumbinin, që dje dukej edhe më i “tharë”. Ndonëse ekipi peqinas drejtohet nga Sokol Branica, që disa vite më parë ka lënë gjurmë në drejtimin e Egnatias, skuadra mike ka qenë pak e brishtë dhe nuk ka vënë në funksionim si duhet arsenalin e lojës së saj të fortë.

Te peqinasit bien në sy edhe disa largime lojtarësh, të cilët ende duket se nuk janë zëvendësuar. Shkumbini duket se do të afrojë shumë lojtarë që sezonin e fundit luajtën tek Elbasani, disa prej të cilëve debutuan që dje, por që akoma kanë nevojë për t’u harmonizuar te skuadra peqinase. Kjo përshtatje, nga sa na u tha, do të merret me seriozisht prej peqinasve duke filluar nga java e ardhshme. Për Egnatian ishte fitorja e katërt shtëpiake gjatë ditëve të fundit. Të mërkurën e ardhshme sërish në Rrogozhinë Egnatia do të presë një tjetër ekip fqinj, Turbinën e Cerrikut, për të synuar fitoren e pestë në miqësoret shtëpiake.

DEKLARUAN PAS NDESHJES
Vladimir Gjonaj (Trajner i Egnatias)- “Koncepti ynë i lojës po vjen duke u konsoliduar në shumë aspekte. Kemi disa futbollistë që me kapacitetin e tyre sportiv krijojnë aksione më bollëk e shënojnë, falë teknikës e fantazisë, sidomos të mesfushorëve. Jemi në rrugën e duhur.
Sokol Branica: (Trajner i Shkumbinit)- “Është ende shpejt të nxjerr përfundime nga një takim si ky. Luajtëm karshi një skuadre të organizuar mirë dhe që shpalos shumë entuziazëm dhe energji në fushë. Një model ky i thjeshtë, që edhe futbollistët tanë duhet ta ndjekin në mënyrën e vet të lojës për të sakrifikuar më tepër në fushë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *