Mauricio Sarri është përshtatur mirë në klubin e Çelsit dhe rezultatet po i japin të drejtë. Katër fitore në katër ndeshjet e para, por trajneri italian ka rritur entuziazmin e lojtarëve, të cilët preferojnë stilin e futbollit të italianit dhe ndihen më të lirshëm në ndeshje.
“Kam luajtur në Itali me Romën dhe e dija lojën që kërkonte të zhvillonte Sarri, i cili luan një futboll që më pëlqen shumë. Sarri na kërkon të bëjmë presing më lart se sa bënim në sezonin e shkuar, ku të gjithë e dinë që qëndronim më poshtë. Tani është gjithçka ndryshe. Krijojmë më shumë raste dhe gjithçka është më e bukur.
Sarri kërkon që mbrojtësit të mbajnë topin dhe të pasojnë shkurt. Unë e kam demonstruar se mund ta bëj diçka të tillë dhe po përmirësohem nga dita në ditë. Ai është një trajner që nuk kënaqet kurrë dhe na e përsërit gjithmonë që mund të përmirësohemi.
Ai na bën të ndihemi të gjallë. Sinqerisht, jam i habitur që po bëjmë kaq mirë, sepse lojtarë si Hazard dhe Kante luajtën gjatë gjithë Botërorit dhe u bashkuan vonë me ekipin. Janë në formë të shkëlqyer dhe kjo është diçka fantastike për ekipin”, përfundon mbrojtësi gjerman prononcimin e tij për “Mail on Sunday”.