Edi Martini: Futboll pa polici? Ne kemi akoma dyqane me qepena!

Rasti i dhunës ndaj arbitrave pas ndeshjes Kamza-Laçi 1-1 tregon probleme të shoqërisë shqiptare dhe se është ende e pamundur që siguria në stadiume të garantohet vetëm me forca sigurie private. Edi Martini, ish-futbollist e trajner te Vllaznia, deklaron se do të duhen edhe pesë vite të tjera që Policia e Shtetit të qëndrojë jashtë stadiumeve në ndeshjet e futbollit.

Në intervistën e dhënë për SportEkspres.com, Martini deklaron se bojkoti i arbitrave është një veprim shumë i drejtë, madje që mund të kishte ndodhur edhe në rastet të mëparshme. Gjithsesi, sipas tij kjo është një fazë ku arbitrave u është vënë jeta në rrezik dhe ndërprerja është edhe tërheqje vëmendjeje për të gjithë aktorët e faktorët e garës.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sa vlerë ka bojkoti që arbitrat i bënë futbollit shqiptar?
-Unë e mendoj si një veprim shumë të drejtë, madje që mund të kishte ndodhur edhe në raste të mëparshme. Gjithsesi, kjo është një fazë ku arbitrave u është vënë jeta në rrezik dhe ndërprerja është edhe tërheqje vëmendje për gjithë aktorët e faktorët e garës.

Ju si e mendoni dhunën në stadium, vjen nga siguria e dobët, apo nga gjykimet e dobëta?
-Kur në Shqipëri kemi ende dyqane me qepena për arsye të sigurisë së dobët, atëherë krahasimisht nuk mund të kemi stadiume me stjuartë. Për vetë emacipimin e shoqërisë shqiptare, në stadium duhej që të ishte policia e pranishme.

Moment nga tensioni | Foto: LSA

Ishte e gatshme shoqëria shqiptare për situatën me stjuartë në stadiume?
-Ne jemi ballkanas, por kemi edhe ligje të dobëta. Mes tyre ishte edhe ky për garantimin e rendit me polici private në stadiume e terrene sportive. Rasti i Kamzës tregoi se, ndoshta, edhe për pesë vite të tjera duhet që në stadiumet shqiptare të garantohet siguria vetëm nëpërmjet Policisë së Shtetit.

Dënimet e Komisionit të Displinës i shikoni të ashpra, apo normale?
-Unë mendoj se dënimet e Komisionit të Displinës ishin reale, por këto ende nuk e ndërgjegjësojnë shoqërinë tonë që futbollin ta përjetojnë si spektakël, jo vetëm si një garë. Ndjej keqardhje për futbollistët e Kamzës, por ishte një rast i paparashikueshëm për ta.

Ndërprerja e kampionateve të futbollit, çfarë efekti do të ketë te skuadrat?
-Në të gjitha kategoritë e futbollit tonë, disa skuadrave u shërben për mirë kjo ndërprerje e kampionateve, por atyre që ishin në formë të mirë nuk do t’u shërbejë aspak. Natyrisht që kjo ndërpreje do të plotësohet me miqësore, që gjithsesi nuk e plotësojnë mungesën e ndeshjeve zyrtare.

Mbeten 12 javë deri në përfundimin e kampionatit të Kategorisë Superiore dhe 9 javë në Kategorinë e Parë. Si i mendoni verdiktet?
-Në Kategorinë Superiore mendoj se Partizani do të jetë kampion, ndërsa për zbritjen nga kategoria do të ketë luftë të fortë mes Luftëtarit dhe Kastriotit. Këta të fundit po e bëjnë më të bukur garën. Në Kategorinë e Parë, Vllaznia e ka siguruar ngjitjen bashkë me Bylisin. Mendoj se Vora dhe Turbina janë skuadrat e rrezikuara për mbijetesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *