E vërteta e Serranit: Gjici më akuzoi për trukim dhe më largoi

0

Historia më absurde e verës: Kukësi u akuzua për trukime në Austri, ndërsa më pas akuzoi lojtarin e vet për trukime, pa asnjë fakt e asnjë logjikë.

Alberto Seran ka provuar në kurrizin e vet një situatë të turpshme, sepse tashmë që është në Spanjë, larg makthit shqiptar, ka zbuluar gjithçka në një intervistë për të përditshme katalanase Sport.es.

Nuk e prisja kurrë të kisha probleme të tilla, shkova në Tiranë për të njohur qytetin dhe për të gjetur shkollë për vajzën”, nis rrëfimin e vet Serran, i cili në akrrierë ka luajtur edhe në Spanjë e Angli, në nivelet më të larta.

Nuk është e këndshme të të akuzojnë, apo të aludojnë, se je shitur. Jam 33 vjeç dhe kam qenë gjithmonë shumë serioz. Mbeta i shokuar kur më morën në pyetje në Vjenë, por edhe më e pabesueshme ishte ajo që më tha Safet Gjici në Moldavi. Kam dinjitetin tim, ta marrë dreqi…”.

“U bashkova me ekipin në Austri, i entuziazmuar për një eksperiencë të re, ku do të kisha mundësi të njihja një vend të ri dhe të luaja në kupat e Europës. Gjithçka nisi të deformohej pas miqësores kundër Dinamos, që humbëm 6-0. Pësuam dy gola në 6 minutat e para, luajta 70 minuta”.

Qetësia u kthye në çmenduri: “Mbërritëm në Vjenë, para udhëtimit për në Moldavi, dhe ka prisnin 6 persona, të cilët na thanë që ishim nën hetim për trukime. Përmendën 9 emra lojtarësh, përfshirë mua, të cilët duhej të shkonin në komisariat për të dhënë deklaratat e tyre dhe për të lënë telefonat për hetim. Ende nuk e kam marrë telefonin”.

Në Moldavi: “Shkuam në Tiraspol, u mundëm 1-0 për një penallti shkaktuar nga unë, për një prekje instiktive të topit me dorë. Gabova, por aty nisi makthi, sepse ndihmëstrajneri më tha që presidenti dëshironte të bisedonte me mua dhe gjëja e parë që më tha ishte ‘e ke shitur ndeshjen?’. Gjithçka po ndodhte ulur në një tavolinë, me 6 miq të tij ulur pas tij, ndërsa unë nuk u besoja veshëve”.

Katalanasi aty e kuptoi se bënte mirë të largohej: “U ngrita i revoltuar nga takimi, askush nuk më kishte akuzuar kurrë në karrierë! Trajneri dhe lojtarët më qetësuan, derisa shkova në dhomë dhe me një tablet bisedova me bashkëshorten. Pak më vonë një mik i presidentit erdhi dhe më kërkoi tabletin. E pabesueshme, gjithçka në një mëngjes në një hotel në Moldavi”…

Pas kthimit në Tiranë Serran rrëfen se mendoi prishjen e kontrats, por “prita ndeshjen e kthimit, sepse trajneri, skuadra dhe njerëzit më mbështetnin, me jepnin zemër. Ishte e vështirë të gjeje përqendrim, në fushë fituam 2-1, duke qenë në avantazh 2-0 dhe duke goditur 3 herë shtyllën në fund, edhe unë në minutën e 93-të”.

Mëngjesin tjetër, agjenti që e solli në Shqipëri, Kosta Grillo, e telefonoi dhe i tha që drejtori i klubit i kishte komunikuar që Safet Gjici “dëshiron të prishë kontratën”. I dëshpëruar, por edhe i lehtësuar, Serran firmosi me shpejtësi dhe u kthye në Barcelonë. Fundi i historisë.

Do të vazhdoj të luaj”, thotë Serran, tashmë në shtëpinë e vet, me familjen e vet dhe me buzëqeshjen e rigjetur. Por tre javët shqiptare nuk harrohen: “Vendi, njerëzit… Dashurova gjithçka. Dakord, pothuajse gjithçka”, përfundon.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.