Ndodh shpeshherë që tifozëve nuk iu pëlqen ndonjë lojtar, janë kundër afrimit të një futbollisti të caktuar, por dhe kundër largimeve të atyre që adhurojnë. Ata protestojnë, reagojnë, por drejtuesit e klubit nuk është se heqin dorë nga vendimet e tyre. Por, kësaj radhe ka ndodhur ndryshe dhe historia e veçantë na vjen nga Seria B italiane dhe klubi i Leçes.
Bëhet fjalë për Kosimo Kirikon, anësorin 26-vjeçar, i cili u rikthye këtë verë tek ekipi jugor mbas pesë vitesh. Tifozët nuk e kanë pritur mirë afrimin e tij në ekip, si pasojë e disa inateve të vjetra, por ata kanë shpërthyer në ndeshjen përballë Salernitanës. Trajneri, Fabio Liverani, e aktivizoi për 13 minuta Kirikon, gjë që solli irritimin, reagimin e madh të tifozërisë si dhe kërcënime kundrejt drejtuesve.
Klubi ka reaguar shpejt, duke prishur marrëveshjen me lojtarin, i cili është rikthyer në shtëpi. “Futbollisti nuk është më pjesë e jona, për të ruajtur klimën e qetësisë dhe unitetit me tifozët”, thuhet shkurt në komunikatën e klubit të Leçes.
Agjenti i lojtarit nuk e ka pritur mirë këtë vendim dhe ka “shpërthyer” kundër drejtuesve të klubit. “Jam i çuditur dhe ndjej neveri. Pasi mora vesh që presidenti i Leçes dhe familja e tij morën kërcënime me jetë për faktin që Kiriko luajti, na thuhet që lojtari nuk është më pjesë e skuadrës. Kiriko erdhi te Leçe me kërkesë të presidentit, i cili na tha që nuk do të kishim probleme. Këto janë qëndrime për t’u dënuar”, përfundon agjenti i lojtarit, i cili e sheh veten pa ekip për momentin.