Gjatë një prononcimi para disa ditësh për mediat italiane, Romeo Lukaku u shpreh se dëshironte të luante në Serie A, konkretisht te bardhezinjtë e Alegrit. “Përse jo? Shpresoj të luaj një ditë me Juventusin”, u shpreh sulmuesi i Mançester Junajtid dhe një gjë e tillë solli kritika të shumta në ishull.
Atmosfera aspak pozitive që mbizotëron në ekipin e “Djajve të Kuq” mund të ketë mërzitur belgun, i cili i ka shkelur syrin Juventusit. Geri Palister, ish-mbrojtësi i Junajtid, ekip me të cilin ka zhvilluar më shumë se 300 ndeshje, është shprehur për çështjen në fjalë. Ai sulmon Lukakun, por nuk toleron as Zhoze Murinjon në prononcimin e tij për mediat angleze.
“Të thuash që aspiron të luash me një klub tjetër, ndërkohë që je pjesë e një tjetër klubi, është mungesë respekti. Ndoshta, mund ta mendosh një gjë të tillë, por ta thuash atë dhe të vendosësh të zezën mbi të bardhë është e tmerrshme. Junajtid është nën presion dhe të dëgjosh goleadorin e skuadrës, i cili kërkon të largohet, nuk është një situatë ideale. Murinjo? Në kohën time nuk kishte shanse të ndodhnin këto përçarje midis trajnerit dhe lojtarëve. Një nga meritat e Sër Aleks Ferguson ishte zbutja e karaktereve të vështirë të ekipit”, përfundon Palister.