Dikush është mërzitur nga fundi i aventurës së Zhoze Murinjos me Mançester Junajtid, por ka dhe nga ata që janë gëzuar. Njëri prej tyre është Pol Pogba dhe kjo nuk është një befasi. Mesfushori francez nuk arriti të krijonte kurrë një marrëdhënie normale me trajnerin portugez, ndërsa tashmë është larguar “armiku” i tij.
Kampioni i botës në fuqi ka qenë i pari që ka reaguar pas shkarkimit të Murinjos. Pogba ka postuar në rrjetet sociale një foto duke buzëqeshur, por ai e ka fshirë atë pas disa momentesh. Megjithatë, foto e tij ka bërë xhiro nëpër rrjet, edhe pse mesfushori e ka fshirë postimin.
“Komentojeni vetë” ka shkruar Pogba, ndërkohë që ka zgjedhur një foto pikante, ku shfaqet duke buzëqeshur me ironi. Mesazhi i tij është i qartë, ai fitoi “luftën” me ish-trajnerin e tij dhe kjo gjë e ka gëzuar. Por, dikujt në klub mund të mos i ketë pëlqyer kjo gjë dhe lojtari e ka fshirë postimin. Por, ai e bëri të vetën dhe nuk mund të mos rrinte pa e shprehur lumturinë e tij për largimin e trajnerit…