Silvio Berluskoni e ka të vështirë të ndahet nga futbolli dhe për këtë ka vendosur të blejë shumicën e aksioneve të klubit të Monzës. Krahu i tij i djathtë do të jetë sërish Adriano Galiani, i cili ka qenë administrator i deleguar edhe te Milani i madh që ish-kryeministri italian ndërtoi.
Berluskoni dhe Galiani nuk do të jenë të vetëm, por do të kenë rreth 70% të aksioneve. Pjesa tjetër i mbetet presidentit aktual Nikola Kolombo, i cili nuk dëshiron të largohet plotësisht nga klubi. Gjithsesi kjo nuk është pengesë, duke pasur parasysh faktin që palët njihen mes tyre.
Kolombo është i ati i Feliçe Kolombos, i cili ka qenë pjesë e Milanit në periudhën 1977-1980. Mbetet vetëm për t’u zyrtarizuar marrëveshja, pasi gjithçka duket e përfunduar dhe brenda muajit do të vijë edhe njoftimi përfundimtar. Gjithçka është çështje procedurash për momentin.