Skandal, vetëm kështu mund të quhet ajo që ka ndodhur dje në Bazel dhe ka vetëm një fajtor, Taulant Xhakën.
“Sport Ekspres” zbulon se mesfushori nuk është takuar dje me Kristian Panuçin, i cili ishte në Bazel enkas për ta takuar.
Trajneri i ri i kombëtares shqiptare e kishte njoftuar prej ditësh Xhakën se do të shkonte ta takonte dhe dje ishte në Bazel së bashku me Ervin Bulkun.
Gjithçka sipas parashikimeve, deri në momentin që Xhaka nuk zbriti fare në fushë, duke mos luajtur në ndeshjen kundër Lucernës.
Pas përfundimit të ndeshjes, sipas rregullores, lojtarët e stolit dolën të gjithë në stërvitje dhe aty Xhaka pati edhe një debat me disa tifozë, duke u nervozuar shumë.
Ndërkohë, “Sport Ekspres” mëson se Panuçi e priti për rreth 3 orë jashtë stadiumit, i telefonoi dhe dërgoi disa “sms”, por asnjë reagim.
Një histori e shëmtuar, një ngjarje që konfirmon atë që Xhani De Biazi ka thënë gjithmonë: “Taulant Xhaka e ka problemin te vetja, jo te trajneri i kombëtares”.
Refuzim total për të takuar Panuçin, një injorim i turpshëm, që natyrisht i mbyll përfundimisht derën e kombëtares Xhakës. Talenti qartësisht nuk i mungon, të tjerat janë problem. Me siguri, Panuçi tani e tutje nuk do ta kontaktojë më dhe për Xhakën nuk ka vend në kombëtare. Trajneri italian e nisi pikërisht nga Taulant Xhaka serinë e takimeve duke menduar të vlerësonte një futbollist me shumë vlera, por kjo histori i vë vulën gjithçkaje.