Milani i pandalshëm. Prej të paktën pesë vjetësh, në Milanelo nuk ndihej aroma e një revolucioni dhe entuziazmi ishte mbuluar nga fushat e merkatos zhgënjyese, por tani gjërat kanë ndryshuar. Me ardhjen e kinezëve, kuqezinjtë tashmë janë kthyer në një makinë parash në merkato dhe pasi kanë prekur kuotën e 200 mln eurove, kanë gati edhe sulmin final, ose ndryshe “qershinë mbi tortë” për atë që pritet të jetë merkato më e rëndësishme në botë sa i përket klubeve edhe në “top 5” kampionatet europiane.
Praktikisht, duke hequr portierin Donaruma dhe mbrojtësin Romanjoli, Montela do të ketë një formacion të ri. Plot 9 goditje deri tani (Rodriguez, Musakio, Kesi, Konti, Bilia, Çalhanoglu, Andre Silva, Bonuçi dhe Borini) dhe në pritje të qershisë mbi tortë: Pier Emenik Obamejang dhe Beloti. Sigurisht, Nikola Kaliniç, që është plani “B”, në këtë rast, do të presë gjithçka në heshtje, edhe pse jo edhe aq.
Lojtari ndodhet në Kroaci, zyrtarisht për arsye familjare, por e vërteta është se ka prishur marrëdhëniet me Fiorentinën pasi shprehu dëshirën për t’u veshur kuqezi. Madje, pritet që Kaliniç të jetë vetë një blerjë përtej “top player”-it në sulm. Në fakt, sipas burimeve, me largimin e Niangut dhe Bakës, pas Lapadulës, nevoja e një tjetër sulmuesi veç Andre Silvës dhe njërit mes Obamejang dhe Beloti, është e nevojshme.
Buxheti – Aktualisht, merkato e Milanit ka prekur kuotën e 200 milionë eurove të investuara, me disa që do të paguhen me këste dhe të tjera akoma që do të paguhen “cash”. Ndërkohë, duhet theksuar gjithashtu se do të ketë disa shitje të rëndësishme. Mes tyre, Karlos Baka, për të cilin pritet 20 milionë, ndërsa për Niangun gjithashtu pritet të arkëtohen 15 milionë euro të tjera. Dhe, nëse shitet edhe Suso, për të cilin duhen të paktën 30 milionë euro, atëherë goditja e madhe në sulm s’do të jetë asnjë problem. Praktikisht, për të bindur Dortmundin për Obamejangun duhen vetëm 70 milionë euro, ndërsa për Belotin e Torinos, Kairo nuk zbret poshtë 90 milionë eurove, teksa oferta kuqezi e fundit është 60 mln dhe kartonin e Niangut dhe atë të Paletës. Sakaq, për Kaliniç, Fiorentina kërkon 30 milionë, por lojtari i është premtuar Milanit dhe, nëse gjithçka do të shkojë mirë, do të arrihet akordi për 20 mln dhe bonuse.
Por, orët e fundit, ka dalë edhe emri i bujshëm. Alvaro Morata. Sipas “Premium Sport”, pas blerjes s ish-mbrojtësit të Juventusit, kuqezinjtë kanë rikthyer vëmendjen nga spanjolli, që pasi ka parë t’I mbyllen duart e Junajtidit, që bleu Lukakun, dhe sidomos duke ditur se Çelsi i Kontes ende s’ka lëvizur në sulm, mund të rimendojë për “Djallin”. Arma më shumë është pikërisht Bonuçi, me të cilin ka një raport super. Madje, mes të dyve, sipas zërave, ka nisur edhe shkëmbimi i “sms”-ve. Një merkato e çmendur, e cila për Milanin është duke tronditur futbollin botëror… Kinezët jo vetëm që ekzistojnë, por janë edhe të fuqishëm ekonomikisht.