Bedri Greca do të nisë një eksperiencë të re, në Kosovë. Gjilani e bindi sulmuesin anësor të nënshkruante. Kontrata me Tiranën i kishte përfunduar dhe në kampin bardheblu nuk kishin interes të vazhdonin bashkëpunimin. Ka edhe ata që mendojnë ndryshe, por Greca i sqaron përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram.
“Përshëndetje miqtë e mi! Nga sot nuk jam më pjesë e ekipit të KF TIRONËS, edhe pse dëshira ime ishte shumë e madhe që të qëndroja. Desha të bëj një sqarim në lidhje me ‘sms’-të që më kanë ardhur nga tifozët për largimin tim. As kam tradhtuar as s’do ta bëja kurrë, por drejtuesit nuk më kanë ofruar kontratë që të vazhdonim më tej”, shkruan Greca, i cili nuk kursen fjalët e mira për tifozët dhe tregon pse zgjodhi të transferohet te Gjilani.
“Falënderoj kolegët e mi për aq sa kemi punuar bashkë. Falënderoj edhe tifozët më të mirë në Shqipëri, të cilët më kanë mbështetur në çdo qytet. Falënderoj edhe të gjitha ofertat që kanë ardhur në drejtim timin, si në SHQIPËRI, ashtu edhe në KOSOVË, por ekipi im i ri, SC GJILANI, më ofroi një projekt shumë premtues, ku në krye është TRAJNER MEZANI, i cili më bindi të firmos për këtë ekip”, përfundoi sulmuesi anësor.