Interi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 mbrëmjen e kaluar ndaj Romës, me Mauro Ikardin që e nisi ndeshjen nga stoli. Pas ndeshjes, në lidhje me këtë çështje si dhe të ardhmen e Ikardit dhe Juventusin, foli Uanda Nara.
Bashkëshortja dhe njëkohësisht agjentja e ish-kapitenit të Interit deklaroi për këtë të fundit se do të qëndrojë në Milano, ndërsa një koment pati edhe për Juventusin e Kristiano Ronaldon.
“Ikardi qëndron? Sigurisht. Lautaro titullar? Janë zgjedhjet e Spaletit. Ai ka për detyrë të zgjedh më të mirët, për të mirën e Interit. Juventusi? Ronaldo ka firmosur për tri vite, do e shohim në fund nëse ka qenë i suksesshëm. Ndoshta fiton vitin tjetër në Champions.
Gjithçka që mund të bënte në Champions e bëri në ndeshjen ndaj Atletikos. Do të ishte bukur të shihje një ekip që t’i rivalizojë. Nuk më pëlqen 1-1, por mund të pranohet ndaj Romës, aq më tepër kur na çon edhe më afër objektivit tonë për Champions.”