Pritej vetëm zyrtarizimi dhe ka ardhur: Ardian Mema do të drejtojë Tiranën edhe për një sezon. Marrëveshja mes tij dhe presidentit Refik Halili ishte arritur prej kohësh dhe vetë Mema e pat deklaruar se do të qëndronte. Gjithsesi do të duhej që ai të pyetej për merkaton.
Një takim i ditëve të fundit ka sjellë vendimin final dhe klubi i Tiranës ka njoftuar edhe marrëveshjen e e re me Memën. “Ardian Mema rikonfirmohet në krye të skuadrës. Një vit kontratë me opsionin për të vijuar sërish në drejtimin bardheblu”, shkrihet në fillim të njoftimit të bardehbluve.
“Klubi ka nisur punën për të bërë gati skuadrën e sezonit të ri dhe i pari është rikonfirmuar trajneri. Mema prej muajit Tetor ka marrë drejtimin e Tiranës dhe tani e nis nga e para sërish me skuadrën e sezonit 2019-2020”, përfundon komunikata e 24 herë kampionëve të vendit.