Elseid Hysaj dhe Napoli nuk dihet se sa kohë do të bashkëpunojnë. Kontrata shkodranit i përfundon në qershor të vitit 2021, ndërkohë që është folur shumë për zgjatjen e marrëveshjes deri në vitin 2023. Jo vetëm kaq, por është theksuar se së shpejti do të ketë një takim tjetër për rinovimin.
Gjithsesi zhurma rreth së ardhmes së Hysajt, por edhe komentet për paraqitjet e mbrojtësit nuk mungojnë. Menaxheri i tij, Mario Xhufredi, e ka pranuar se për mbrojtësin e kombëtares ky nuk është sezoni më i mirë.
Për Radio CRC, Xhufredi është shprehur: “Pajtohem se nuk është vitit i tij më i mirë, por duhet të bëjmë një reflektim: Hysaj që kur luan futboll si profesionist ka luajtur gjithmonë me Sarrin. Pas 5-6 vitesh që luan me Sarrin, zakonet në nivel taktik janë gjithmonë të njëjtat. Tani ai është i vetmi lojtar te Napoli që duhet të përshtatet me lojën e Ançelotit. Tani po përjeton një jetë të re futbollistike. Jam i sigurt që nga janari ai do të bëjë performanca të mirë sërish”.
“Hysaj po ndiqet nga Çelsi dhe klube të tjera? Nëse shikoni se po luan Malkuit dhe dëgjoni se Napoli po kërkon lojtarë të tjerë, mesa duket do të thotë se ka edhe kërkesa. Kush thotë të kundërtën është informuar keq”.