Atletiko Madrid po bën mirë në kampionat, aty ku renditet e dyta me 34 pikë, tre më pak se Barcelona e vendit të parë. Por, në kampin madrilien ka një problem sa i përket krahëve të mbrojtjes. Felipe Luis kërkon largimin, ndërsa në dyshim është dhe e ardhmja e Lukas Hernandez. Francezi pëlqehet nga Bajerni i Mynihut, me gjermanët që janë gati të paguajnë klauzolën prej 80 milionë eurosh të kampionit të botës me Francën.
Në dyshim është dhe e ardhmja e Huanfran, kështu që drejtuesit e klubit janë të detyruar të futen në merkato. Siç raporton “El Gol Digital”, Atletiko është vënë në gjurmët e Aleksandër Kolarov. Mbrojtësi i majtë preferohet shumë nga Diego Simeone për karakterin e tij dhe luftën e fortë sportive.
33-vjeçari mbetet një nga anësorët e krahut më të fortë në Serie A, ndërsa kontrata e tij me verdhekuqtë skadon në verën e vitit 2020. Atletiko po punon për të arritur sa më shpejt akordin për transferimin e tij në Madrid, ndërsa mediat e vendit iberik zbulojnë se Monçi, drejtori sportiv i Romës, ka nisur punën për të gjetur zëvendësuesin e Kolarov.