Skuadra e Dinamos ka dy-tre sezone që pretendon ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe ky synim në këtë stinë të nxehtë duket se po mbetet vetëm në letër. Duke u renditur pas kryesuesve në grup, Dinamo mendoi se e ka bërë stazhin e duhur për t’u ngjitur më lart, por veç financave, ky objektiv kërkon edhe kualitete në drejtim, pankinë e fushë.
Dhe për fat të keq, Dinamos kanë filluar t’i largohen në këto ditë të merkatos së qershorit pikërisht kualitetet. I pari u largua sulmuesi Markovanbasten Çema, e pas tij drejtori teknik Artan Mergjyshi. Dy largime “big”, që ndoshta tregojnë se projekti i suksesshëm ende nuk është kthyer në plan zbatimi nga drejtuesit.
Zërat e merkatos thonë se janë disa lojtarë të tjerë që kërkojnë largimin nga Dinamo, duke deklaruar se askush nga ata që u ka përfunduar kontrata nuk është kontaktuar nga drejtuesit për rikonfirmim. Këta të fundit e kanë lënë që përgatitjet të nisin në fillimin e korrikut.
Koha është e mjaftueshme për të organizuar skuadrën, por është e vështirë të ndërtohet nga e para për shkak se largimet deri atëherë pritet të shtohen në numër. Pjesës më të madhe të titullarëve u kanë trokitur skuadra të tjera, përderisa nuk janë rikonfirmuar. Projekti i ri që pretendojnë drejtuesit e donatorët, sikur po … “vjetërsohet”!
AGRON KAJA