Napoli-Volfsburg, miqësorja e fundit sezonale. Por, edhe një derbi shqiptar ndërmjet Elseid Hysajt dhe Admir Mehmedit.
Mbrojtësi kuqezi e nisi sfidën si titullar, por dueli në fund u fitua nga sulmuesi me pasaportë zvicerane, që u shndërrua në protagonist absolut me dy golat e fitores për ekipin gjerman.
Brekalo kaloi Volfsburgun në avantazh në fundin e pjesës së parë, ndërsa Milik barazoi në të 69-ën minutë. Festa e italianëve zgjati fare pak, me Admir Mehmedin që shkëlqeu.
I aktivizuar nga stoli, sulmuesi realizoi dy gola në harkun e dy minutave. Në të 72-ën, Mehmedi riktheu “ujqërit” në avantazh, ndërsa pak sekonda më pas shënoi edhe golin e rezultat përfundimtar 3-1. Një tjetër shuplakë për Napolin e Ançelotit, që duket ende larg formës së sezonit të kaluar.