Klodian Duro, trajneri i Kamzës, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Tiranën. Një ndeshje ndryshe nga të tjerat për të, por shprehet i bindur se ekipi i tij do ta dominojë ndeshjen në lojë dhe rezultat.
Ai flet edhe për lojtarët e pezulluar, por në lidhje me aktivizimin e tyre gjithçka mbetet pezull. Sigurisht nuk e fsheh zhgënjimin për rezultatet e deritanishme dhe e thotë se nuk e kishte pritur të ndodhë kështu, për faktin se Kamza deri më tani ka zhvilluar lojëra të mira.
PEZULLIMET – “Nuk po kalojmë një periudhë siç duam. Sikurse ndodh kudo, klubi ka rregulla dhe është marrë masa e pezullimit nga ana e klubit. I përket klubit si çështje. Unë stërvit ata që klubi më vë në dispozicion. Janë vendime të klubit, unë kam vendimet teknike që i përkasin fushës. Normal kemi edhe në diskutimet tona. Vazhdojmë punën dhe shohim përpara. Nuk kam se çfarë shtoj. I takon klubit dhe janë të pezulluar pa afat. Jam trajner dhe stërvit ata që më vënë në dispozicion. Unë e kam dhënë mendimin tim, presidenti është ai që vendos”.
“Kemi në dispozicion 26 lojtarë, do nxjerrim një formacion të aftë për ta përballuar këtë ndeshje. Në çdo ndeshje kemi luajtur mirë, por na mungojnë pikët. Si çdo ekip që do kohën e vet për t’u kolauduar, e kemi vuajtur këtë pjesë. Nuk dua t’ia lë fatit, pasi ndihmon atë që punon. Ne kemi gabimet tona dhe punojmë për t’i korrigjuar ato dhe për t’u kthyer aty ku duam”.
BARAZIMI – “E kam thënë edhe më parë, nuk jam një trajner që kënaqem me barazim. Çdo ndeshje futemi për të fituar. Kështu do ndodhë edhe nesër. Nuk ka pse ndryshon asgjë nga filozofia ime. Duhet t’i lëmë fjalët në këtë moment dhe të jemi bashkë për t’u kthyer te fitorja.
RREZIKU PËR T”U LARGUAR – “Jam gjithmonë i qetë, pasi klubi më kë mbështetur deri tani. Realisht ndihem i zhgënjyer nga rezultatet. Nuk i mendoja këto rezultate. Çdo ndeshje përgatitemi për të fituar. Rezultatet të lënë shijë të hidhur. E thashë edhe pas ndeshjes me Skënderbeun, nuk jam ata që dorëzohem lehtë. Shikoj përpara me optimizëm dhe punoj për të arritur qëllimet e mia. Synimi është të fitojmë ndeshjen e nesërme”.
TË PEZULLUARIT NË FORMACION – “Kam stërvitur lojtarët që klubi më ka vënë në dispozicion. Nesër do të luajë ai formacion që është i aftë të përballojë ndeshjen. Për të qenë konkret, kam stërvitur ata që kanë qenë të lirë. Pjesa tjetër ka bërë stërvitje veçmas”.
SITUATË E RËNDUAR TE TIRANA – “Nuk mendoj se është një plus, më intereson ekipi im. Kam punuar me ekipin për t’u kthyer te fitorja. Nesër është një ndeshje që do impenjimin maksimal për ta fituar takimit”.
REZULTATET – “Jam unë i pari që nuk jam i kënaqur, jo nga loja, por nga rezultati. Unë i dal gjërave përballë, jam i pari kur rezultate janë zhgënjyese, si nga vetja ime dhe më pas me radhë tek faktorët e klubit. Futbolli i tillë është. Unë jam mëse i bindur se kjo mënyrë loje dhe kjo lojë e mirë shumë shpejt do të japë frytet e veta. Unë do të ndihem mirë kur pas ndeshjes me Skënderbeun, të gjitha ata që e kanë para ndeshjen ndiheshin të zhgënjyer se si është e mundur që Kamza doli pa pikë nga kjo sfidë me këtë lojë. Ky është futbolli. Një mik i imi, ish-koleg tek Tirana, më tha pas ndeshjes: ‘Me këtë lojë të zhvilluar, dhe nëse fanellat do i kishit bardheblu, ndoshta do të kishit fituar 4-1 ose 5-1’. Por futbolli i tillë është dhe ne duhet të pranojmë këtë moment ku jemi. Duhet të punojmë të gjithë, me kokën e ulur, për të shkuar sa më lart. Nesër është një nga ato ndeshje, ku duke nisur nga unë i pari dhe të gjithë futbollistët të tregojnë se sa vlejnë dhe sa mund t’i japim këtij ekipi”.
ULTIMATUMI – “Unë me mediat kam qenë gjithnjë i hapur dhe do të jem gjithnjë i hapur në çdo moment. Çdo javë më është bërë pyetja nëse kemi ultimatume apo jo, duke nisur që pas humbjes me Kukësin në Shkodër. Unë kam thënë që do jem këtu edhe javës tjetër dhe do diskutojmë për ndeshjen e radhës. Për të qenë më konkret këto gjëra që do u them unë duhej t’i thoshte media. Unë e kam marrë ekipin në javën e katërt të kampionatit. Kam qenë mëse i bindur se me futbollistët që ka Kamza shumë shpejt do të krijojmë këtë lojë që ne po luajmë, por do marrim dhe rezultate.
Realisht na ka munguar vetëm pjesa e vazhdimësisë në rezultate, pasi ne e kemi nisur që në ndeshjen e parë në Kupë dhe kemi kaluar turin me Besën e Kavajës. Kemi fituar në ndeshjen e parë timen në kampionat me Kastriotin shumë pastër si në lojë dhe në rezultat 2-0. Kemi humbur një ndeshje të vërtetë dhe të luajtur në mënyrën e duhur ndaj Kukësit, një prej skuadrave më të mira në Shqipëri. Jemi përballur denjësisht në këtë takim.
Hapin fals e kemi shënuar në shtëpi në ndeshjen me Laçin. Që nga kjo sfidë unë nuk kam pasur në dispozicion një qendërmbrojtës siç është Beqiri, i cili ka qenë kapiten i Luftëtarit, që shkoi në Europë. Po ashtu dhe kapiteni Plaku në këtë ndeshje ka qenë i dëmtuar dhe i pamundur për t’u aktivizuar. Edhe Roloviç ka qenë me një virozë dhe e kishte të pamundur që të kontribuonte në 100% në këtë ndeshje, pavarësisht se unë e aktivizova në 15 minuta e fundit.
Në Gjirokastër shkuam me një ekip jo të plotë, megjithatë këto janë ndodhin në një ekip profesionist dhe unë nuk jam qarë dhe nuk qahem as sot, por vë në dukje disa fakte që media duhet t’i kishte më të qarta, ose t’i ketë më të qarta. Realisht nuk kam frikë nga asgjë dhe me gjithë këto probleme që na kanë shoqëruar gjatë kësaj periudhe jam mëse i qetë dhe i qartë me atë që kërkoj nga ekipi. Nesër fillojnë ndeshjet ku nuk ka më justifikim si për mua dhe për ekipin. Koha e njohjes ka mbaruar dhe ne duhet të flasim me gjuhën e futbollit dhe me gjuhën e fitores”.
PEZULLIMET – “Këto janë vendim të klubit, unë e kam thënë se jam i qetë se kur nxjerr 11 lojtarë në fushë janë aty me vendimin tim, ndaj jam i qetë se ata futbollistë bëjnë shumë mirë në fushë, si në çdo ndeshje, por na ka munguar hapi i fundit që na çon te fitorja”.
NOSTALGJIA – “Sigurisht, pjesën më të madhe të karrierës e kam kaluar te Tirana, rreth 6 sezone. Tirana është një nga ato klube, që më ka dhënë shumë, ashtu siç dhe unë i kam dhënë shumë asaj. Tuaj të njëjtin respekt dhe të njëjtin mendim siç kam qenë futbollist edhe sot si trajner. Jetojmë në Shqipëri dhe shumë gjëra mbase nuk janë në vendin e duhur, por ne përpiqemi që t’i çojmë në vendin e duhur. Jam një nga ata ish-futbollistë të Tiranës, ose për të thënë që jam në vendin e parë sa i përket lojtarëve që kanë më shumë ndeshje me Kombëtares që kanë qenë pjesë e Tiranës.
Ndihem shumë mirë dhe jam krenar që kam përfaqësuar klubin e Tiranës dhe në arenën ndërkombëtare. Nesër e pres Tiranën si kundërshtar dhe do të jem shumë i kënaqur që Kamza të rikthehet te fitorja. Jam i bindur se nesër do të shohim një ndeshje ku Kamza do të dominojë si me lojë ashtu dhe me rezultat”.