Duro: Përballemi me më të mirët, dua një ndeshje cilësore

0

Elton Nika

Flamurtari e nis nga Korça sezonin futbollistik të këtij viti, ashtu si edhe një vit më parë kur luante pikërisht ndaj Skënderbeut. Ndryshimet në kampin kuq e zi nuk kanë munguar gjatë kësaj periudhe, me afrime dhe largime të shumta, ndërkohë që trajneri Shpëtim Duro beson në një nisje të mbarë të këtij kampionati. Sipas kreut të pankinës luhet përballë një kundërshtari mjaft cilësor, që ndoshta është edhe skuadra më e mirë e futbollit shqiptar. Vetë Duro ruan kujtimet më të mira nga koha kur ka drejtuar Skënderbeun, skuadër me të cilën ka fituar titullin kampion, por tani është i fokusuar tek ekipi i tij dhe beson shumë te Flamurtari, një skuadër e ndërtuar nga vetë ai. Natyrisht që besohet te rezultati pozitiv, ndërkohë sipas Duros nuk ka rëndësi kalendari, kur pyetet nëse do të kishte dëshirë  ta niste jo nga Korça, por nga një tjetër transfertë.

-Profesor, tashmë nis kampionati dhe Flamurtari luan përballë Skënderbeut. Si e shihni këtë përballje?

-Luajmë përballë një skuadre shumë cilësore, mos të them skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar. Kam kujtime dhe ruaj respekte maksimale nga Korça, një skuadër ku edhe unë jam pjesë padyshim e nisjes së rezultateve pozitive, ku në vitin e parë kemi fituar titullin kampion. Pra luhet përballë një skuadre shumë të mirë dhe që gjatë kësaj vere ka bërë mjaft mirë në kupat e Europës, duke u kualifikuar në grupe. Gjithsesi tashmë jam pjesë e Flamurtarit, drejtoj këtë skuadër dhe natyrisht që do të kërkoj rezultatin pozitiv në këtë transfertë.

-Do të dëshironit ta nisnit në një tjetër transfertë dhe jo nga Korça kampionatin?

Në përgjithësi nuk kam preferenca në këtë drejtim, përballë Skënderbeut apo ndonjë tjetër skuadre. Shorti është për të gjitha skuadrat dhe në javën e parë gjen një kundërshtar, në javët e tjera do të ndeshesh me të gjitha skuadrat. Ndaj nuk kam ndonjë preferencë. E rëndësishme mbetet që ta nisim sa më mirë këtë kampionat.

-Skënderbeu vjen pas një vere me mjaft entuziazëm dhe rezultatet pozitive…

-Natyrisht kjo ka anën e saj pozitive, por nga ana tjetër edhe negative. Skënderbeu, si e thashë më lart, ka bërë një paraqitje të  jashtëzakonshme dhe padyshim që ka me vete entuziazmin dhe do të kërkojë të vijojë në këtë rrugë. Por nga ana tjetër ndonjëherë ky aspekt ka edhe anën e vet negative, pasi mund të ndëshkojë dhe të krijojë jo pak probleme. Megjithatë tashmë jemi në kampionat dhe luhet për tjetër gjë.

-Mungesa e Veliut, është një problem?

-Siç dihet mungon Franc Veliu i dëmtuar dhe një dëmtim në rreth një muaj e gjysmë fazë përgatitore më duket normale. Franci është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën, por unë mendoj se konkurrenca këtë sezon është rritur ndjeshëm dhe lufta për një vend në formacion mbetet e fortë. Në organikë kam lojtarët që më duhen dhe padyshim që do të jenë ata më në formë në këtë ndeshje.

-Flamurtari ka pësuar shumë ndryshime gjatë verës. Sa do ndikojë kjo në kampionat?

-Unë mendoj se të gjitha skuadrat kanë pësuar ndryshime, me afrime dhe largime. Edhe një vit më parë skuadrën e ndërtoi trajneri që ishte, po ashtu edhe këtë vit e ndërtova unë. Janë afruar lojtarë cilësorë dhe profesionistë, por tashmë duhet që gjithçka të tregohet në fushën e lojës. Skuadra është ndërtuar duke bërë zgjedhjet që mendojmë se janë për këtë Flamurtar dhe padyshim që tashmë duam ta nisim sa më mirë.

– Me çfarë rezultati do kënaqeshit?

-Është një ndeshje që brenda 90 minutave të saj i ka tria rezultatet. E rëndësishme mbetet që të bëjmë një ndeshje cilësore. Vërtet Skënderbeu ka një skuadër cilësore, por edhe Flamurtari duhet të jetë aty ku e meriton kjo skuadër dhe emri i saj.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.