Duro: Klimë pozitive tek Egnatia, lojtarët janë çliruar tani!

Egnatia ndeshjen e radhës e luan në Berat, duke i kthyer vizitën Tomorit që një javë më parë luajti në Rrogozhinë. Kundërshtar për skuadrën e drejtuar nga trajneri Ilir Duro është Oriku. Tekniku kavajas flet për SportEkspres.com dhe thekson se ekipi e ka kaluar ngërçin financiar dhe e gjithë vëmendja është te ndeshja e radhës.

Kërkesa kryesore është që Egnatia ta vlerësojë në maksimumin Orikun, teksa Duro deklaron: “E kemi përgatitur seriozisht sfidën me Orikun. Në skuadër ka një klimë shumë pozitive, jo vetëm se lojtarët e vlerësojnë seriozisht garën, por edhe për faktin se atyre u është zgjidhur ngërçi financiar nga Bashkia. Kjo i ka çliruar shumë për të dhënë më të mirën”.

Në lidhje me përballjen kundër Orikut, ai shton: “Kjo ndeshje luhet në stadiumin e Beratit dhe në pamje të parë quhet ndeshje në transfertë për të dyja skuadrat. Por për ne ky fakt nuk do të ketë ndikim për të arritur objektivin tonë. Fitorja me Orikun na bën që të jemi të tretët në renditjen e grupit tonë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *