Klodian Duro, pas ndeshjes me Teutën, shprehu rezerva për gjykimin në deklaratën e tij në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. Ai theksoi se Kamza bëri një lojë shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë.
“Shënuam dhe dominuam ndaj një Teute të përforcuar. Bëmë gjithçka që duhet për të fituar. Ndihem mirë për punën që bëj dhe për ato që ekipi i transmeton në fushën e lojës. E kisha përgatitur në mënyrën e duhur dhe e tregoi pjesa e parë. Bëhet më e vështirë në pjesë të dytë, kur kundërshtari përforcohet nga të gjitha anët. Nuk dorëzohem në asnjë moment. Ekipi më i mirë në fushë ishte Kamza”.
“E keni parë ndeshje, taktika jonë rezultoi efikase. Luajtëm 11 kundër 14 në pjesën e parë dhe fituam. Në të dytën ata futën një sulmues dhe afruan pranë portës sonë. U pa me faullet e dhëna dhe te rasti i penalltisë”.
“A u ndiet i tradhtuar nga skuadra? Aspak, në kushtet kur kundërshtari është shumë i fortë dhe vjen me lehtësi në zonën tonë, gjithçka bëhet e vështirë. Kam besim te puna ime dhe te skuadra. Do vazhdoj rrugën time”.