Trajneri i Flamurtarit vlerëson lojtarët e afruar: Dajën, Karabecin e Hasanin nuk i presim pa fund. Faza përgatitore në Mavrovë
Elton Nika
Flamurtari ka lëvizur shumë në merkaton e verës, por nuk e ka mbyllur ende atë. Në ekip priten edhe dy-tre afrime të tjera. Karabeci, Daja apo dhe Edon Hasani mbeten emrat më të lakuar, por jo gjithçka varet nga Flamurtari në këtë rast. Veç tyre, janë edhe disa alternativa të tjera për të kompletuar kuqezinjtë, të cilët po ndryshojnë krejtësisht për sezonin e ri. Trajneri Shpëtim Duro shprehet i kënaqur me afrimet e deritanishme, pasi është vetë ai që vendos për merkaton. Trajneri i vlonjatëve, në intervistën e mëposhtme për “Sport Ekspres” ndalet te problemi i nisjes së kampionatit të ri, pasi gjykon se data duhej të ishte fiksuar, në mënyrë që ekipet të bënin gati programin stërvitor.
— Një tjetër lojtar, Viktor Zhufo, i është bashkuar Flamurtarit së fundi. Sa i kënaqur jeni?
– Eshtë një lojtar, të cilin e njoh mjaft mirë që nga koha, kur drejtoja Shkëndijën e Tetovës. Nuk ishte e lehtë ta afronim në skuadër, pasi lojtari ishte në kontratë deri në muajin dhjetor, ndërsa oferta kishte edhe nga Kroacia apo ndonjë skuadër tjetër e huaj. Gjithsesi, në fund arritëm ta sjellim te Flamurtari dhe kjo është shumë e rëndësishme, pavarësisht ndonjë ndërhyrjeje nga manaxherë të huaj. Nëse nuk vinte në Vlorë, Zhufo do të qëndronte te Shkëndija. Me afrimin e tij, mendoj se në mesfushë kemi realizuar afrime të mira. Me Useinin dhe Zhufon kemi plotësuar vendet e lëna bosh nga Shkodra apo Telushi.
– A vazhdon merkatoja te Flamurtari, prisni lojtarë të tjerë?
– Po, vazhdon. Do të realizojmë edhe dy apo tre afrime të tjera dhe jemi duke punuar me qetësi, pa shumë bujë. Dihet si veprohet në këtë kohë nga të gjithë, ndaj nuk po nxitohemi. Jam duke studiuar gjithçka dhe natyrisht që do të bëjmë edhe disa afrime të tjera, siç thashë më lart.
— Karabeci, Daja dhe Hasani janë emra të përfolur për të ardhur te Flamurtari…
– Janë disa emra edhe këta që ju përmendet. Por kanë qenë me skuadrat e tyre në Kupat e Europës, si dhe kanë pasur ndonjë luhatje për të vendosur. Natyrisht, emrat e tyre qëndrojnë, por nuk mund të presim pa fund. Janë lojtarë, të cilët na duhen dhe të shohim si do të vijohet deri në fund.
– Kur do të nisë stërvitja për Flamurtarin?
– E kam thënë, gjithçka varet nga data e nisjes së kampionatit, që pritet ta mësojmë të hënën (sot). Kjo është e keqja në Shqipëri, kur ende nuk është përcaktuar data e kampionatit, ndërsa në të gjitha vendet e tjera ajo dihet. Federata na ka lënë dy data, 20 gusht dhe 10 shtator. Nëse nis kampionati më 20 gusht, skuadra më 9 korrik nis përgatitjet. Nëse nuk ndodh kështu, do të caktojmë një tjetër datë për nisjen e përgatitjeve.
– Merkatoja do të jetë mbyllur para nisjes së përgatitjeve?
— Ndoshta po. Mund të them se skuadra nuk do të jetë totalisht e plotësuar në ditën e parë të stërvitjes. Gjithsesi, do të shohim si do të shkojnë punët ditët në vijim, por edhe kompletimi i ekipit para nisjes së fazës nuk përjashtohet.
– Faza përgatitore, ku pritet të zhvillohet?
– Dy javë do të shkojmë në Mavrovë, në Maqedoni. Do të zhvendosemi 15 ditë jashtë vendit për një fazë përgatitore në kushte sa më cilësore dhe natyrisht që Mavrova është një vend i tillë. Kam qenë edhe me skuadra të tjera aty. Por më parë të shohim kur do të nisim përgatitjet.