Vllaznia “kundër” të huajve, Zeka: Të promovojmë vendasit

Drejtori sportiv i kuqebluve, krahas procesit të riorganizimit të skuadrës, flet edhe për merkaton, marrëdhëniet me Cungun dhe çështjen e numrit të të huajve në Superiore

Gaspër Marku

Vllaznia nuk ka zbritur ende në fushën e blertë dhe kjo ka bërë që të ketë shumë kritika në Shkodër, por në klub e përsëritin se janë në kohë. Një gjë të tillë e pati konfirmuar pak ditë më parë edhe administratori Astrit Gjyrezi, ndërkohë që të njëjtën gjë e përsërit edhe drejtori sportiv, Eugen Zeka. Në intervistën ekskluzive dhënë mbrëmjen e së dielës për “Sport Ekspres”, ai pohon se bazuar edhe në informacionet më të fundit marrë në FSHF, kampionati starton në shtator dhe Vllaznia është në kohën e duhur. Përpos anës organizative, Zeka prek edhe disa pika të tjera të komentuara jo pak në opinionin sportiv, si çështja e merkatos, largimi i Hebajt, marrëdhëniet me teknikun Cungu, si dhe komenton edhe kërkesat dhe pretendimet e disa klubeve të Superiores për shtimin e numrit të të huajve, duke e thënë hapur mendimin e tij që është kundër.

 

Ka kaluar mbi një muaj që nga mbyllja e kampionatit dhe skuadra vazhdon pushimet. Mendoni se jeni vonë me fillimin e procesit stërvitor, apo siç është shprehur edhe administratori Gjyrezi jeni akoma në kohë?

Ndryshe nga skuadrat e tjera që marrin pjesë në kupat e Evropës, mendoj që përsëri nuk jemi vonë për fillimin e përgatitjeve, duke pasur parasysh këtu edhe udhëzimet e reja të FSHF-së, përmes së cilave informohemi që Kampionati i Superiores 2017-2018 me shumë mundësi mund të fillojë në muajin shtator dhe jo në fund të gushtit. Gjithsesi, vazhdoj të jem i mendimit që sa më herët aq më mirë do të ishte, në të gjitha aspektet.

Kur mendohet të fillojnë përgatitjet kuq e blu?

Në një mënyrë apo tjetër është bërë e qartë për të gjithë, që së shpejti do të jenë vendimet dhe direktivat e kryesisë së klubit, ato që do t’i japin pikënisjen sezonit të ri futbollistik për KF Vllaznia. Prandaj, çdo fjalë e tepërt nga ana e gjithsecilit deri në atë moment, nuk bën tjetër gjë, veç rrezikon të kthehet në objekt diskutimi apo montimi të ndonjë çështjeje që nuk ekziston.

Në lidhje me analizën teknike të stafit me drejtuesit e klubit dhe ato të baskisë, çfarë pritet nga ajo? Do të jetë thjesht konstatuese apo edhe ndëshkuese?

Analizat dhe mbledhjet me drejtuesit janë normale në çdo klub, jo vetëm në fund të sezonit, por edhe gjatë tij. Të njëjtën gjë, sapo e zhvilluam edhe me të gjithë pjesëtarët e stafeve të akademisë, ku jo vetëm evidentuam problematikat e ndryshme, por mbi të gjitha edhe i përgëzuam ato për arritjet dhe sukseset në punën e tyre gjatë këtij viti.

Largimi i talentit Hebaj, apo edhe i ndonjë tjetri, a ju shqetëson ndopak si drejtues?

Sulmuesi Hebaj ishte fat ta kishim mes nesh, siç do të jetë i tillë për çdo skuadër ku do të luajë. Një lojtar i mrekullueshëm dhe me shumë perspektive si ai, padyshim që është shumë e vështirë për ta zëvendësuar, por jo e pamundur. Përsa i përket lojtarëve të tjerë shkodranë, nuk ka asnjë largim tjetër, siç aludohet, përkundrazi sipas takimeve individuale të punës që kam bërë me ato, të gjithë pa përjashtim kanë shprehur dëshirën të qëndrojnë te Vllaznia. Më pas, gjatë merkatos është normale që gjithsecili të mendojë dhe kërkojë më të mirën e mundshme për karrierën e vet.

Çfarë bëhet me merkaton? Edon Hasani, a është më në listat e Vllaznisë? A ka emra të tjerë të lakuar për t’u afruar?

Lojtari Edon Hasani nuk ka nevojë të jetë në listë, pasi ka qenë dhe është në dëshirën dhe vullnetin e të gjithëve ne, për ta rikthyer në Shkodër dhe për ta admiruar duke luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, me ngjyrat kuq e blu mbi shpatulla. Patjetër që ka emra të tjerë, sidomos të atyre që në një mënyrë apo tjetër janë të lidhur me Shkodrën dhe vijnë me shumë dëshirë për të kontribuar pranë Vllaznisë.

Ditët e fundit janë shtuar shumë zërat për shtimin e numrit të huajve në kampionatin shqiptar, nga katër në gjashtë? Sa jeni dakord me këtë propozim dhe cili është mendimi juaj profesional për këtë çështje?

Kampionati ynë dhe futbolli shqiptar në përgjithësi, ka nevojë të formojë dhe forcojë përherë e më shumë identitetin e vet. Prandaj, në këtë këndvështrim, rritja e numrit të pjesëmarrjes së lojtarëve të huaj nuk ndihmon, për më tepër që ato shohin dhe përdorin kampionatin tonë vetëm si trampolinë drejt kampionateve të shteteve më të njohura. Unë mendoj që rritja dhe formimi i lojtarëve shqiptarë dhe promovimi sa më shumë i tyre, është rrugëzgjidhja më e përshtashtshme dhe më e drejtë për të mirën dhe të ardhmen e futbollit shqiptar.

Edhe diçka tjetër. Në media është përcjellë ideja e një konflikti mes jush si drejtor dhe teknikut Cungu. Sa e vërtetë është një gjë e tillë dhe sa dëmton imazhin e klubit, por edhe të vete profileve tuaja si individë?

Mediat bëjnë punën e tyre me të drejtë, por ne duhet të dimë të bashkëjetojmë me ato edhe në raste të tilla gjatë profesionit tonë. Pavarësisht nga rolet dhe detyrat që mbulojmë, ne si profesioniste e kemi për detyrë, jo vetëm morale, por edhe ligjore në baze të kontratave, që vetëm të mbrojmë dhe rrisim imazhin e klubit tonë, gjë të cilën unë kam bërë e vazhdoj ta aplikoj me rigorozitet kudo në profesionin tim. Eksperienca më ka mësuar që, duke mbrojtur imazhin e klubit dhe interesin e përgjithshëm, automatikisht vetëm mbrohet edhe imazhi i profilit tim si individ.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online