Të marrësh minuta në një ekip si Volfsburgu nuk është e lehtë. Ekipi në pronësi të gjigantit automobilistik “Wolksvagen” ka në përbërje lojtarë që paguhen me miliona euro. Por, në futbollin gjerman ka gjithmonë hapësira për talentet. Në transfertën ndaj Maincit i riu fatlum ishte një shqiptar.
Bëhet fjalë për mesfushorin e talentuar Elvis Rexhbecaj. Djaloshi nga Prizreni është vetëm 20-vjeç dhe luajti 88 minuta në ndeshjen e mbrëmshme që përfundoi me rrjeta të paprekura për të dyja palët. Talenti i “ujqërve” është një lojtar mjaft polivalent, i cili është aftë të luajë në mesfushë, por edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.
Rexhbecaj ende nuk ka luajtur me asnjë përfaqësuese moshash. Futbollisti mund të luajë për tri kombëtare: Gjermaninë, Kosovën dhe Shqipërinë. Mbetet për t’u parë secila do të jetë zgjedhja përfundimtare e 20-vjeçarit. Kosova dhe Shqipëria kanë kohë që e kanë pikasur, por ndoshta hezitimi i Rexhbecajt vjen si pasojë e dëshirës së tij për të luajtur me kombëtaren gjermane.