Veleçiku do të luajë në fushën e tij një ndeshje delikate kundër Shënkollit, skuadër që po tenton të mbijetojë në Kategorinë e Parë. Për trajnerin koplikas, Besnik Duli, në këtë fazë të tretë nuk ka ndeshje të lehta. Në deklaratën e tij për SportEkspres.com, ai thekson se të gjitha ndeshjet marrin rëndësinë e një finaleje.
“Ne e vlerësojmë Shënkollin, jo nga pozicioni që ka në renditje, por nga loja e fortë që zhvillon dhe nga shpirti i garës. Në këtë fazë të tretë nuk ka më ndeshje të lehta. Për ne janë si finale, e tillë është edhe ajo e radhës me Shënkollin. Kemi punuar gjatë gjithë javës për këtë përballje”, u shpreh Duli për sfidën me Shënkollin.
Për vazhdimësinë e garës, ai shton: “Ne kemi patur dhe kemi si objektiv mbijetesën në Kategorinë e Parë. Në çdo ndeshje do bëjmë lojën tonë me dinjitet. Po e përsëris, se duke i vlerësuar të gjitha ndeshjet si finale, do të shkojmë më të sigurt tek objektivi ynë”.
AGRON KAJA