Partizani u shpall kampion dhe sapo e arriti diçka të tillë matematikisht mori një urim edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar mendon se të kuqtë e merituan trofeun, ndërkohë që nuk ia uron rënien Tiranës.
“Ka qenë një kampionat i merituar nga Partizani. Ka pasur pak konkurrencë do të thoja, e ka siguruar disa javë përpara përfundimit. Kjo tregon që ka pasur pak konkurrencë në fitimin e titullit. Kanë qenë bindës nga java e parë deri në të fundit. Tirana në rrezik? Kjo është loja, kjo është gara, futboll do luhet edhe në Kategorinë e Parë. Unë nuk ia uroj kurrë Tiranës që të bjerë”, shprehet Duka mes të tjerash në RTSH Sport.
Presidenti i Federatës foli edhe për fenomenin e tolerimeve të ndeshjeve: “Tolerimi ka ekzistuar, fatkeqësisht. Është i dëmshëm, është një nga sëmundjet kryesore të lojës. Uroj që të eliminohet 100 për qind. Gjithsesi nuk e besoj. Madje për disa duket e pabesueshme pse ky që nuk i duhet lufton kundër këtij që i duhet. Normalisht duhet të luftosh, por që të motivohesh dhe të luftosh pavarësisht se nuk të duhen pikët apo ndeshja, nuk është vetëm çështje ndërgjegje. Janë shumë faktorë në mes.”
FSHF së fundmi ka pasur takime me përfaqësues te Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, por Duka nuk është optimist se paketa fiskale që qeveria do miratojë do jetë ajo që kanë propozuar. “Zhvillimet e deritanishme nuk më duken sikur do të na çojnë në realizimin dhe plotësimin e atyre kërkesave, apo në realizmin e asaj pakete që ne mendojmë që mund të zhvillojë sportin”, shtoi Duka.
Në fund ai flet edhe për dënimin që UEFA ka dhënë për Skënderbeun, duke u shprehur se nëse përdoret i njëjti standard, i bie që të dënohen të gjitha ekipet. “Nëse do të përdorim atë precedent në gjithë gjykimet, qoftë në Shqipëri, apo edhe në vendet e tjera, atëherë të gjitha klubet në Europë duhet të dënohen sipas kësaj prove që është informacioni i kompanive të basteve”, përfundoi Duka.