Presidenti i Federatës konfirmon se Filipo Inzagi është kontaktuar për të marrë drejtimin e Shqipërisë, por rruga është shumë e gjatë
Anton Cicani
FSHF u përshëndet dje me Xhani De Biazin , duke i organizuar një ceremoni nderuese për trajnerin italian, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar dhe zor se do të dalë ndonjë tjetër më i zoti. Megjithatë, largimi i tij pa u mbyllur kualifikueset na ka kapur “gafil”, sepse nuk e prisnim një vendim të tillë të bujshëm. Tani presidenti i FSHF-së Armand Duka është në kërkim të emrit të duhur dhe si zakonisht, është një zgjedhje ekskluzive e tij, ndaj duhet menduar mirë.
Emri i fundit dhe më i bujshmi që ka dalë si kandidat serioz për të marrë kombëtaren është ai i Filipo Inzagit, ish-sulmuesi legjendar, i cili në Shqipëri dhe në botë është shumë i famshëm, ndaj emërimi i tij në krye të kombëtares kuqezi do të ishte një goditje e bujshme. Sezonin e shkuar Inzagi ngjiti Venecian në Serinë B, ndërsa tani po mendohet për ofertën e FSHF-së.
Vetë presidenti Duka, i pyetur dje në lidhje me këtë çështje, konfirmoi gjithçka: “Jemi në kërkim, kemi kontaktuar, por nuk ka asgjë konkrete. Inzagi na pëlqen si alternativë, ashtu si na pëlqejnë edhe të tjerë, megjithatë akoma nuk ka asgjë të konfirmuar. Dua dikë që të jetë i motivuar, ky është prioriteti ynë, edhe më shumë se emri. Duam ta mbyllim sa më shpejt, pasi në muajin gusht trajneri duhet të jetë në drejtim të skuadrës. Sfida e madhe e trajnerit të ri do të jetë të bëjë më mirë se De Biazi. Kjo situatë na kapi ta papërgatitur, megjithëse nuk është hera e parë që vendosemi në ndjekje të trajnerëve, vetëm që kësaj here nuk e kishim programuar në këtë periudhë, sepse mendonim se e kishim trajnerin”.