Armand Duka ka mbetur i kënaqur nga ndeshja e djeshme mes Skënderbeu e Partizanit të Beogradit, përtej rezultatit në fushë. Presidenti i FSHF-së gëzohet për lojën e Skënderbeut, por edhe për organizimin perfekt të ndeshjes.
“Shqipëria ka dhënë prova se di të organizojë edhe ndeshje të një risku të lartë. Ndeshja mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit e vërtetoi më së miri këtë. Nuk kisha ndonjë merak se mund të ndodhte ndonjë gjë, por kisha shumë dëshirë që Skënderbeu të fitonte. Ishte një ndeshje shumë e bukur dhe ne të gjithë duhet ta komplimentojmë Skënderbeun që po na përfaqëson denjësisht në Europa League”, u shpreh Duka në mikrofonin e Supersportit, duke shtuar se Skënderbeu po përfaqëson më shumë se një qytet.
“Të gjithë shqiptarët janë tifozë të futbollit dhe përderisa Skënderbeu po na përfaqëson në ndeshjet europiane, pa dyshim që do ta mbështesin. Nuk ka dyshim që gjëja më e mirë që ka Shqipëria është futbolli.”