Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ia ka dalë mbanë në garën për t’u zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe me të drejtë mund të krenohet, sepse tashmë është një personalitet në arenën ndërkombëtare.
Megjithatë, në deklaratën e tij të parë pas zgjedhjes në qeverinë e UEFA-s Duka tregohet i matur dhe ka një mesazh të shkurtër për të gjithë, duke e konsideruar një fitore për futbollin shqiptar, jo për të personalisht.
“Të dashur miq,
Nga sot më është besuar detyra e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Emocion i papërshkrueshëm, fitore e madhe për futbollin e vendit tim.
Duhet të falënderoj të gjithë kolegët e federatave anëtare, që më votuan në garën për një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Një besim dhe një përgjegjësi e madhe për mua dhe futbollin shqiptar.
Jam shumë i nderuar që për herë të parë në histori më takon mua të përfaqësoj futbollin shqiptar në pozicionin më të lartë qeverisës së UEFA-s”.