Duka: De Biazi ka kontratë, nuk e pushoj

Situata alarmante në kombëtare ka detyruar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, të qëndrojë pranë skuadrës dhe ai ka udhëtuar për në Stamboll, një ditë përpara nisjes drejt Izraelit, për të kuptuar më shumë mbi atë që po ndodh në këtë moment. Asnjë bisedë me trajnerin, por direkt me ekipin dhe lojtarët, duke lënë të kuptohet se kombëtarja ka më shumë rëndësi se sa e ardhmja e trajnerit, ashtu siç edhe do ta konfirmojë në intervistën e gjatë për “Supersport”, me të dërguarin në Turqi, Alban Xhihani. Kreu i futbollit shqiptar preku të gjitha temat e deritanishme, nga kriza e rezultateve, harmonia, euforia, por edhe e ardhmja, shiriti e kështu me radhë…

Kohët e fundit ka pasur shumë zëra se Xhani de Biazi do të largohet, pasi shumë oferta ndaj tij, si edhe deri në Kinë. Sa ju kanë bezdisur këto, ose a ju ka kërkuar trajneri të bisedoni?

Nuk është e rëndësishme nëse më bezdis apo ndikojnë te unë lajmet që qarkullojnë për trajnerin, por unë mendoj se nuk janë të mira për skuadrën, sepse ndofta e shpërqendrojnë edhe skuadrën, pasi ekziston një raport mes skuadrës e trajnerit. Nuk besoj se i bëjnë mirë skuadrës.

Për mua mbeten zhurma mediatike, sepse nuk ka asgjë zyrtare. Me trajnerin, siç edhe e keni parë, kam ndjekur stërvitjen bashkë edhe nuk kemi biseduar asnjëherë për gjëra të tilla. E kam thënë disa herë që është në një kontratë e cila përfundon në fund të këtij edicioni.

 

Si e ndani përqindjen mes stafit dhe lojtarëve në këto humbjet e fundit dhe pse kemi kaluar në eufori?

Euforia është legjitime në një lloj mënyrë, është një epidemi që nuk ka njeri që nuk kap, apo nuk ka skuadër. Varet se kush e menaxhon më mirë. Euforia nuk ka kapur vetëm futbollistët, euforia na ka kapur të gjithë neve. Ka kapur ambientin sportiv – duke nisur nga unë, nga trajneri – të gjithë ne kemi menduar se u bëmë shumë të mëdhenj. Por të mëdhenj jemi kur djersijmë shumë, madje-madje duhet edhe të nxjerrësh gjak në fushë e jo djersë që të arrijmë rezultate pozitive. E rëndësishme është që kjo euforia, që i kap të gjithë pas një suksesi ndofta të pazakontë, të kalojë sa më shpejt dhe unë uroj që të ketë kaluar.

Keni biseduar me trajnerin në lidhje me këtë?

Kjo eufori i ka kapur të gjithë aq sa kemi dëgjuar shumë diskutime në Shqipëri kur humbëm me Spanjën, ishim aq euforikë sa na u duk fundi i botës. Një humbje ndaj Spanjës është normale për çdo ekip në botë, jo më për Shqipërinë. Padyshim që çdo ekip në botë futet për fitore, por ishim aq shumë euforikë sa na u duk fundi i botës humbja me Spanjën. Ne duhet të dimë vlerat tona, limitet tona dhe të kemi pretendimet tona reale. Duhet të dimë edhe armët e forta tonat, t’i shfrytëzojmë ato që janë lidhja e skuadrës me fanellën, përkushtimi maksimal që të arrijmë në sukses.

 

Duhet rinovim i kombëtares dhe mendon se një rezultat pozitiv në Izrael mund të sjellë ndryshimin?

Jo, mendoj paraqitjen dhe jo rezultatin, fitojmë ose humbasim. Dëshira që të mos jetë e njëjta skuadër dhe të njëjtën fytyrë, si ndaj Luksemburgut. Mund të bësh gjithçka mirë, por duhen shumë faktorë të arrihet te rezultati. Nëse demonstrojmë diçka ndryshe, atëherë mund të kemi shkuar drejt shërimit të epidemisë.

Thatë që trajneri do të qëndrojë. Kontrata i skadon në tetor, por jeni duke menduar kush do të na drejtojë te kualifikueset e Euro 2020, por edhe Nations Cup, që është portë ose rrugë drejt Europianit?

Ajo nuk është gjëja që më shqetëson më shumë, pasi duhet ta mbyllim sa më mirë këtë edicion dhe të kemi besim që të bëjmë mirë dhe të jemi pretendentë për 2020. S’e kam menduar nëse vijojmë me të njëjtin staf por të kalojmë këtë epidemi euforike dhe jo krizë, sepse s’mund ta quaj kështu. Terapia që duhet të bëjmë bashkë dhe është test për të ardhmen.

Parashikimi?

Kam besim se do të jemi ndryshe. Vështirë të bëjmë parashikim rezultati. Izraeli është ekip i mirë dhe na mundi në Elbasan. Edhe ata i kanë mundësitë e tyre. Rezultati është i hapur. Duhet të kemi paraqitje ndryshe dhe dëshirë ndryshe. Pozitive do të ishte të mos humbim ndaj Izraelit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online