Është vetëm 20-vjeç dhe po bën trajnerin Unai Emeri me dhimbje koke. Edi Nketiah, një produkt i akademisë së Arsenalit, ka shpërthyer këtë fillim sezoni dhe po kalon një formë të shkëlqyer. 3 gola në 2 ndeshje, përballë Bajernit të Mynihut dhe Fiorentinës. Tifozët e “Topçinjve” e duan që tani dhe Nketiah ka një të ardhme të ndritur përpara.
Sulmuesi është i shpejtë, me cilësi të mira teknike dhe me një instikt vrasësi para porte. Ish-trajneri i Akademisë së Arsenalit, tani trajner i dytë te ekipi i parë, Fredi Ljumberg, i ka thurur elozhe talentit dhe ka qenë pikërisht ai që i ka sugjeruar trajnerit Emeri ta kalojë nga moshat me ekipin e parë.
Arsenali është një nga ekipet me akademitë më të mira dhe emrat që po dalin nga sistemi i moshave janë të shumtë. Nketiah, Nelson, Smith-Rou, Uillok, Saka dhe shumë të tjerë kanë impresionuar në këtë fazë përgatitore, çka ka bërë që tekniku Emeri të promovojë disa prej tyrë në ekipin A.
Reis Nelson u huazua te Hofenhaimi në sezonin e shkuar, duke shkëlqyer në Bundesligë. Uillok ka impresionuar si fantazist, madje dhe vetë Mesut Ozil i ka thurur elozhe. Nketiah ka shfrytëzuar çdo mundësi që i është dhënë, ndërsa Bakajo Saka, vetëm 17-vjeç, u shpall lojtari më i mirë i sezonit për Arsenal U-23.
Me buxhetin e limituar dhe me mungesën e Champions League, merkatoja e Arsenalit duket shumë e vështirë, por me talentet e akademisë dhe me Fredi Ljumberg, një legjendë e klubit, që po punon me promovimin e tyre në ekipin e parë, “Topçinjtë” duket se nuk kanë pse të shqetësohen.