Pasi provoi edhe Kategorinë e Dytë, Elbasani u rikthye në Kategorinë e Parë dhe të gjithë prisnin që të ishte protagonist në këtë kategori. Situata është ndryshe dhe kur janë luajtur 20 javë kampionat, skuadra verdheblu ndodhet në zonën e ftohtë dhe rrezikon qëndrimin në kategori.
Ish-portieri e trajneri kampion me këtë skuadër, Muharrem Dosti, këtë situatë e konsideron të imponuar nga rrethana që nuk duhej të ndodhnin, por sipas tij, Elbasani do shpëtojë. Për SportEkspres.com, Dosti deklaroi se janë dy mundësi deri në mbyllje të kampionatit.
“Elbasani ka dy mundësi këtë javë në ndeshjen me Tomorin, ta fitojë dhe ta kalojë këtë situatë në renditje. Nëse nuk e fiton, rrezikon të luajë në Play-off me skuadrën e Kategorisë së Dytë. Ndeshja me Tomorin e vendos sezonin për Elbasanin dhe unë besoj se shpëton”.
Edhe pse nuk e mendonte që skuadra e Elbasanit do të ishte në këto situata në këtë sezon, Dosti thekson se po kalohet një tranzicion shumë i vështirë. “Elbasani provoi edhe më poshtë se kjo kategori (e Para). Ngjitja u mendua si një ndryshim për mirë, por situatat financiare e mbajtën peng dhe nuk i lanë shumë mundësi për ndryshim. Po e quaj një tranzicion të gjatë dhe besoj se zgjidhja do vijë shpejt, por të kalohet një herë sfida me beratasit”, përfundoi Dosti.
AGRON KAJA